Sekretari organizativ i Partisë së Lirisë, Artemis Peca, i cili po drejtonte mjetin me të cilin po udhëtonte kryetari i kësaj partie, Ilir Meta në momentin e arrestimit, përshkroi edhe njëherë momentin në “Top Story”.
Peca tha se është i tronditur emocionalisht, pasi siç pretendon ai, efektivët e policisë i dolën papritur para duke i prerë rrugën automjetit, me maska dhe automatik duke ushtruar terror. Ai shprehet se në momentet e para mendoi se po grabitej ish-presidenti Meta, ose po i kryhej atentat.
“Akoma nuk e kam marrë veten duke përjetuar atë skemë krimi. Ne po udhëtonim prej dy orësh. Ishte si ditë normale e zakonshme, kishte njoftuar një konferencë për mediat. Ishte shumë i qetë. Kur na preu makina rrugën dhe kur dolën ata me maska dhe automatik, mendova se ishte grabitje, marrje peng, ose atentat që mund të na eliminonin fare. Na hapën të dyja dyert njëkohësisht. Direkt thanë do vish me neve, ku do vi kush je ti.
Filluan duke ofenduar, tërhiq mua, tërhiq presidentin. Nuk kishin asnjë shkrim, ishin anti njerëzor. Makina ishte Benz C klas ngjyrë gri, targën nuk e identidikova dot. Makina mbrapa ishte e policisë. Na terrorizuan komplet, bandë e organizuar. Nga para nuk kishte asgjë në uniformë, mendova se ishte grabitje. E mbajtja presidentin për krahu se thash po na vranë, të na vrisnin të dyve“-tregoi ai në “Top Story”.