Gazetarja e “Top Channel”, Anila Hoxha e ftuar në rubrikën “Galeri” të “E Diell” ka folur për rrugëtimin e saj drejt asaj çka përfaqëson sot, gazetare që ndjek çështjet e nxehta të drejtësisë.
Hoxha tha se beson që disa gjëra në jetë janë të parashkruara, “që ti do të ecësh në këtë trase dhe do të japësh këtë kontribut”, dhe në të shkuarën ajo ka pasur disa histori që tanimë që e mendon, e kupton se ishte e paracaktuar të ndodhej këtu ku gjendet sot.
Një ndër ngjarjet më të dhimbshme që tronditi jetën studentore të Anila Hoxhës ishte ekzekutimi i shoqes së saj më të mirë, vajzës së një prokurori të Vlorës, Kozeta Hyseni, ngjarje e cila nuk është zbardhur ende edhe sot.
Pjesë nga biseda:Manushi: Kemi një foton tënde 20-vjeç, kemi qejf ta shohim.Anila Hoxha: Ahh, kjo është një surprizë e shoqeve të mia. Këto dy vajzat këtu janë Ivana që jeton në Angli dhe Suela në Amerikë. Janë larguar. Kjo është koha e universitetit.
Manushi: A ke kujtime të bukura nga koha e universitetit?
Hoxha: Kam sepse pas meje vjen vëllai im në shkollë të lartë dhe për prindrit e mi ka qenë shumë e vështirë të mbash dy fëmijë në shkollë. Në vitin e dytë kam marrë një çmim për letërsi në poezi, të rinjtë e Evropës Juglindore.Pastaj në vitin e dytë të shkollës së lartë, vajza e një prokurori të Vlorës, Kozeta Hyseni, vritet.
Një ngjarje kjo që nuk është zbardhur ende.Unë them që ca gjëra janë të parashkruara, që ti do të ecësh në këtë trase dhe do të japësh këtë kontribut. Unë kam kaluar një histori, një gjurmë që themi ne shqiptarët, e cila tregon se kur duhet të ndjekësh një rrugë, jo vetëm pasioni dhe dëshira, por disa ngjarje të jetës ta caktojnë.