Tirana dhe një pjesë e qyteteve të vendit përjetuan mesditën e sotme rreth 30 minuta black out. Operatori i Sistemit të Transmetimit ka sqaruar se defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar me efekt kaskadë në të gjithë vendin.
Në deklaratën e OST-së njoftohet se volumet e larta të transmetimit si dhe temperaturat ekstreme kanë qenë shkaktarët e shkëputjes totale të linjave të transmetimit.
Pas ndërprerjes, është rikthyer energjia elektrike në Tiranë dhe qytetet e tjera të vendit ku kishte probleme.
“Defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar me efekt kaskadë në të gjithë vendin. Është identifikuar defekt edhe në linjën e Prizrenit. Nga këqyrja fillestare rezulton se volumet e larta të transmetimit si dhe temperaturat ekstreme kane qenë shkaktarët e shkëputjes totale të linjave të transmetimit. OST po merr masa për rikthimin e energjisë elektrike te të gjithë konsumatorëve”, njofton OST.