Detaje të reja janë zbardhur për vrasjen e palestinezes në Tiranë nga bashkëshorti i saj.
Motivet e vrasjes së ndodhur këtë të enjte në Tiranë janë ende të paqarta për hetuesit, por Policia ka arritur të identifikojë autorin e dyshuar përmes një telefonate. Ka qenë pronarja e banesës ajo që ka deklaruar se çifti e kishte telefonuar me një numër gjerman.
Autoritetet tona kanë kontaktuar me oficerin e kontaktit në Gjermani dhe, pas verifikimeve, numri nuk ka qenë në emrin e 49-vjeçarit, por të një personi tjetër. Ky i fundit ka treguar se numri përdorej nga Fadi Alwan.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se 49-vjeçari, pas kryerjes së krimit, u largua nga banesa më 22 shkurt dhe, po këtë ditë, është larguar në mbrëmje nga Rinasi drejt Greqisë. Pasi ka shkuar në Athinë, ka udhëtuar drejt Amsterdamit. Dyshohet se më pas ka përdorur transport publik për të lëvizur drejt Gjermanisë.
Policia dyshon se bashkëshorti i saj e ka qëlluar për vdekje 24-vjeçaren ditën që është larguar nga Shqipëria dhe, si fillim, e ka dhunuar, më pas e ka vrarë me thikë dhe e ka mbuluar me çarçaf.
Hetuesit kanë dyshime të forta se kemi të bëjmë me vrasje me paramendim, duke nisur që nga mënyra se si është kryer krimi, lëvizjet e qeta të 49-vjeçarit dhe fshehja e të gjitha dokumenteve për të humbur gjurmët.