Një skandal ka përfshirë spitalin e Onkologjikut në QSUT, ku disa mjekë, mes tyre kirurgë apo ish zv drejtoresha e spitalit si dhe farmacistë dyshohet se kanë abuzuar me detyrën duke dërguar ilaçet e spitalit në spitalet private.
Gjyqtarja Armela Hansantari ka vendosur masat e sigurimit ndaj tetë personave, pas një hetimi që Prokuroria e Tiranës ka kryer lidhur me ilaçet e kimioterapisë.
Gjykata ka vendosur në arrest shtëpie për mjekun Edmond Gashi, 44 vjeç, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, Florian Marku i cili akuzohet se kontrabandonte ilaçet. Gjithashtu është vendosur detyrim paraqitje për mjeken Alketa Ymeri(Pere) , Emiljano Lela (Koordinator prane Spitalit Onkologjik ne QSUNT), Brikena Qirjazi (Zv/Drejtoreshe ne QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik), Halil Gashi me akuzën e fshehjes së të ardhurave, si dhe Drilona Kishta, e cila rezulton jashtë vendit.
Mjekët akuzohen se nuk iu dhanë qytetarëve shërbimin e nevojshëm në QSUT, por i orientuan tek privati.
Prokuroria ka kryer një hetim prej disa muajsh, ku gjatë kësaj periudhe ka tentuar të blejë ilaçet citostatike që përdoren për kimioterapi, për të provuar dyshimet se ilaçet spitalore shiteshin tek privati.
Në pavijonin e hematologjisë në Spitalin e Onkologjikut, shpesh është denoncuar nga gazetarët se mungojnë ilaçet për mjekimin e pacientëve të shtuar. Në repartin e kimioterapisë qëndronin të shtruar pacientë me sëmundje kanceroze prej javësh ndërsa mjekët u thoshin se është mbaruar dhe citostatiku i fundit .
Asnjë nga mjekët nuk pranonte të prononcohej përpara kamerave, ndërsa pacientët detyroheshin t’i blinin vetë ilaçet e shtrenjta brenda dhe jashtë vendit.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/ Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2023, ka finalizuar operacionin policor “Kobalti”.
Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë:
– “Arrest në shtëpi” për shtetasin E. G., 44 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Arrest në shtëpi” për shtetasin F. M., 42 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”;
– “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasin E. L., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasen A. Y. (P)., 53 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasen B. Q., 52 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasin H. G., banues në Tiranë, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”;
– Për shtetasen D. K., për të cilën është caktuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal, pasi ajo rezulton jashtë RSh-së.
Këta shtetas, gjatë kohës që kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza”, kanë shpërdoruar detyrat, duke mos iu dhënë qytetarëve, shërbimin e nevojshëm në spitalin shtetëror, por duke i orientuar ata në spitale private, për të marrë shërbimet që kërkonin.
Gjithashtu, në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë, i cili nuk vihej në punë dhe ishte jashtë standardeve, duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit është bërë e mundur që ky burim të zhvendoset në vendin e përcaktuar.
Në kuadër të këtij procedimi është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara të kontrabanduara dhe të falsifikuara, shuma 10 000 euro, si dhe një klinikë mjekësore.
Materialet i kaluan Prokurorisë.