Fiks Fare denoncoi mashtrimin e një ndërtuesi, i cili ka shitur dy herë të njëjtin apartament. Skandali thellohet më tej, pasi shitja është bërë në të dyja rastet te i njëjti noter.
Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua qytetari Sefedin Jashari, i cili tha se “ndërtuesi Ahmet Tushe e ka mashtruar”. Ai pohoi se ka blerë një apartament në vitin 2020, por ka mësuar se i njëjti apartament, në të njëjtin kat dhe në të njëjtën kuotë, ishte shitur në 2018-ën! Madje, të dyja kontratat, si ajo e 2018-ës (e para) dhe e 2020-ës (e dyta) ishin bërë te noteri Skënder Poga në qytetin e Durrësit. Apartamenti ndodhet në lagjen nr.13 në Durrës, teksa prej shumë muajsh qytetari kërkon ndërtuesin, por ka mësuar se ai “është zhdukur”.
Sefedini thotë se është nga fshatrat e Dibrës dhe tani jeton prej shumë kohësh në Itali. “Disa vite më parë bleva një apartament në lagjen Nr.13 në qytetin e Durrësit te firma ‘Albion Construction’, me pronar Ahmet Tushe. Fillimisht e bleva në 2009-ën në katin e dytë plus edhe një garazh. Më vonë më thotë se, do të jap një hyrje tjetër në katin e 5-të, me të njëjtën sipërfaqe. Anulova kontratën e parë dhe bëra kontratë porosie për blerjen e apartamentit në katin e 5-të. Kontratën e dytë e bëra në vitin 2020, bashkë me plan vendosjen, lejen e ndërtimit, kuotën dhe katin përkatës” pohon qytetari.
Ai shton se ka shkuar bashkë me Ahmetin te noteri Skënder Poga, në qytetin e Durrësit, ku përpiluan edhe kontratën e porosisë për apartamentin me sipërfaqe 104 m2 në katin e 5-të. “Unë pagesat prej 40 mijë eurosh i kisha kryer që në 2009-ën. Kaluan disa vite dhe punimet s’po përfundonin. Disa punë i kam bërë vetë dhe doja që atje të jetonin prindërit e mi. Por asnjëherë nuk jetuan, pasi vitet kaluan dhe babai ndërroi jetë. Por më e keqja erdhi, se disa muaj më parë, mësova se i njëjti apartament, me të njëjtën sipërfaqe, me të njëjtin kat, por edhe kuotë, ishte shitur në vitin 2018-ën te një qytetar tjetër. Madje, kontrata ishte bërë te i njëjti noter, Skënder Poga në qytetin e Durrësit” shton qytetari.
Mësohet se, blerësi tjetër ka paditur firmën dhe vetë Sefedinin në gjykatë. “Tani nuk e dimë se sa herë të tjera e ka shitur këtë apartament Ahmeti, pasi kam mësuar se edhe persona apo blerës të tjerë, kanë të njëjtin problem si mua në të njëjtin pallat. Po bëj disa muaj që po e kërkoj, po s’po e gjej në asnjë vend. Dikush më thotë se është në kërkim, tjetri që është larguar. Mua më kanë humbur gati 40 mijë euro që kam paguar” përfundon ai.
Pas ankesës, qytetari dhe gazetarët e “Fiks Fare” kërkojnë ndërtuesin Ahmet Tusha. Fillimisht, ndërtuesin e kërkojnë në zonën e Yrshekut në Tiranë, ku dhe Ahmeti ka jetuar bashkë me familjen. Një komshi u thotë se Ahmeti po bën muaj me radhë që nuk vjen në këtë banesë. “Para 6 muajsh ka ardhur e shoqja, ka marrë disa gjëra dhe s’e kam parë më. Nuk e di ku është. Ju jeni të fundit që po e kërkoni, se këtu kanë qëndruar edhe me Kallashnikov për ta vrarë” pohon komshiu. Fiks Fare ka mësuar se ndaj këtij ndërtuesi janë depozituar disa kallëzime penale në Policinë dhe Prokurorinë e Durrësit.
Qytetari dhe gazetarët e Fiksit shkojnë te noteri Skënder Poga, i cili ka përpiluar të dy kontratat. Ata i kërkojnë shpjegime se përse është bërë në këtë mënyrë, ku rezultojnë se për të njëjtin apartament janë dy blerës. Noteri i përgjigjet se s’ka asnjë përgjegjësi për të verifikuar nëse është shitur. “Ai mund ta shesë edhe 100 herë. Unë nuk kam asnjë përgjegjësi për ta verifikuar. Nuk do rrija të hapja arkivën” u thotë ai. Më pas, qytetari konfliktohet me këtë noter, teksa i kërkonte shpjegime. “Dil jashtë, e di ç’të bëj. Mos më kërkoni llogari” i thotë ai. Ndërkohë, noteri kap me forcë nga krahu edhe gazetaren e “Fiks Fare”, duke vijuar kërcënimet. Ai i thotë se faji është edhe i qytetarëve, se duhet të shkonin të shihnin nëse apartamenti ishte i zënë apo jo.
Pas këtyre përgjigjeve ndaj qytetarit, Fiksi bisedon me noterin, duke i kërkuar shpjegime për 2 kontratat dhe konfliktin fizik. Poga pohon se ka disa javë që ka dalë në pension, ndërkohë për kontratat shton se “janë kontrata porosie dhe ndërtuesi mund të bënte edhe disa të tjera”. Fiksi e pyet nëse këto kontrata porosie i ka dërguar në Kadastër, teksa noteri vijon me të vetën se “Ahmeti s’ka të regjistruar prona në Kadastër”. “Ai mban përgjegjësi se e ka shitur disa herë. Unë vetëm kam bërë kontratat. Unë s’jam inxhinier që të bëj verifikimet përkatëse. Edhe qytetarët duhet të bënin verifikime dhe mos ta blinin vend e pavend. Mirë këto, po ‘hajduti’ s’ka asnjë faj” thotë ai. Gazetarët i bëjnë me dije se për këto probleme, mes shitësit dhe blerësit, është noteri. Ai që garanton se ka një pronë, bazuar në leje ndërtimi dhe gjithçka tjetër. Madje, në të dyja kontratat janë edhe plan-vendosjet. Por noteri këmbëngul se, edhe sot nëse i shkon një blerës tjetër, mund të shesë të njëjtin apartament!