Gazetari Eni Ferhati ka shpjeguar të gjithë dinamikën e shpërthimit me tritol, ku mbeti i vdekur biznesmeni Armand Nelaj. Në Euronews,Ferhati tha se 52-vjeçari kishte marrë porosi nga 35-vjeçari Erdian Muho për të hedhur në erë anijen e linjës Sarandë-Korfuz, për arsye konkurrence.
Në momentin që Nelaj ishte afër anijes për të montuar lëndën plasëse, në telefonin e lidhur me tritolin u futën valët greke, duke bërë që mesazhi “Welcome to Greece”, të aktivizonte shpërthimin.
“Sasia e eksplozivit do të vendosej në pjesën fundore të tragetit, e lidhur me një aparat celular, në vakum. Autori i cili humbi jetën, nuk kanë llogaritur diçka sipas hetuesve. Në momentin që autori i është afruar anijes, kanë hyrë valët roaming dhe ka ardhur një mesazh në telefon. Kjo ka qenë fatale për Armand Nelaj”, tha gazetari.
Në qershor, Nelaj u raportua i vdekur nga një shpërthim në det. Fillimisht, ngjarja u raportua si aksidentale dhe se shkak mund të ishte bërë shpërthimi i bombulës së oksigjenit. Madje u dyshua edhe për një atentat, pasi viktima ishte një biznesmen i njohur në zonën e Sarandës. Ndërkohë që vdekja e Nelajt ka ndodhur për shkak të një lënde plasëse që ai kishte planfikuar të vendoste në tragetin e linjës Sarandë-Korfuz, “Finikas Lines”.