Prej një muaji në qeli, sot në Apelin e Posaçëm do të mbahet seanca për ankimin e masës së sigurisë arrest me burg nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Kryebashkiaku do të paraqitet në Gjykatën e Apelit të Posaçëm në orën 10:00 ku do të shqyrtohet edhe ankimi i tij.
Ankimimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili u arrestua më 10 shkurt, do ta shqyrtojë gjyqtari Engert Pëllumbi, i cili njihet si gjyqtari që dënoi me burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Në të njëjtën seancë, paraqiten për ankimin e masës edhe katër biznesmenët, Elman Abule që ndodhet në arrest me burg dhe tre të tjerët Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi që ndodhen në detyrim paraqitjeje.
Erion Veliaj akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”, të kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, e cila po hetohet në masë detyrim paraqitje, edhe për mosdeklarim pasurie.
Joshua Roberts, përfaqësues i studios ligjore amerikane “Kasoëitz Benson Torres LLP”, takoi dje në burg Veliajn pasi po këshillon kryebashkiakun.
Në një deklaratë për mediat pas vizitës, Roberts u shpreh se ndodhet në Shqipëri si vëzhgues dhe theksoi rëndësinë e respektimit të standardeve ligjore ndërkombëtare.
“Emri im është Joshua Roberts, jam partneri i një studioje ligjore amerikane që këshillon kryetarin Veliaj dhe jemi në dijeni për arrestin e tij prej datës 10 shkurt.
Jam këtu thjesht në rolin e vëzhguesit. Në Amerikë, sipas Kushtetutës dhe ligjit, akuzat dhe veprat penale ngrihen në bazën e një shkaku të arsyeshëm kur të jetë kryer një krim. Dhe qytetarët që përballen me akuza penale mund të ndalohen para gjyqit vetëm nëse paraqesin rrezik për shoqërinë.
Ndikimet e caktuara në afat dhe pa akuza penale dhe kriteret për rreziqe për politikanët janë në kundërshtim me sundimin e ligjit dhe demokracinë në SHBA.
Nesër unë do të vëzhgoj argumentet e apelimit në lidhje me lirimin me kusht të kryetarit Veliaj. Nuk do t’iu përgjigjem për asnjë pyetje apo të bëj ndonjë vërejtje sot”, tha Roberts.
Studio Kasoëitz ka shërbyer si përfaqësues i Presidentit Trump prej 15 vitesh në shumë çështje gjyqësore, si në bizneset e tij ashtu edhe gjatë fushatës presidenciale.