Qendra e dhurimit pranë spitalit rajonal të Korçës prej kohësh po përballet me uljen e numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut. Edhe pse nuk ka pasur mungesa në bankënt e gjakut, përsëri numri i dhuruesve vullnetarë në qarkun e Korçës mbetet i vogël.
Për mjeken e bankës së gjakut në Korçë, Viola Bezhani, 70 % të nevojave të Spitalit përmbushen nga familjarët e pacientëve. Sipas mjekes sasinë më të madhe të nevojës e plotëson banka e gjakut në Korçë, ku brenda një viti janë kryer më shumë se 1300 dhurime gjaku.
“Shumicën, 70 % të dhurimeve i plotësojmë me dhurimet familjare me operacionet e planifikuara, pjesën tjetër e kemi nga dhurimet vullnetare. Vjet kemi pasur rreth 1300 dhurime vullnetare dhe pjesa tjetër të familjarëve. Ne këtë vit kemi bërë një plan vjetor ku kemi palnifikuar dhurime vullnetare, shpresoj të kemi bashkëpunim pozitiv”, tha Viola Bezhani, Banka e Gjakut Korçë.
Nevojat më permanente për gjak janë kryesisht tek rastet e aksidenteve, lindjet e vështira, sëmundjet kronike, sëmundejt onkologjike, dializa etj por grupet më të “vështira” për t’u gjetur për mjeken Bezhani janë ato me rezuz Rh negativ.
“Nevojat për gjak kryesisht është tek aksidentet, ku kërkohet gjak në mënyrë të menjëhershme, lindjet e vështira por jane dhe semundjet kronike, hepatologjike, dializat etj. Dhurimet i kemi të rralla dhe në rastet që janë me resus Rh negativ, këtu na lind vështirësia për t’i mbuluar”, tha Viola Bezhani.
Mjekja bën apel për ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e sa më shumë qytetarëve në dhurimin e gjakut, pasi nuk sjell probleme në shëndet. Në qarkun e Korçës janë tre banka gjaku, në spitalin e Korçës, Pogradecit dhe Kolonjës. Në Qarkun Juglindor teprica e gjakut të dhuruar shkojnë në QSUT për të plotësuar aty nevojat e pacientëve.