Spitali i Traumës hedh poshtë pretendimet e shokut të Martin Canit

Spitali i Traumës ka reaguar pasi familjarët e 14 vjeçarit Luis Meçe, i plagosur në sherrin ku mbeti i vrarë shoku i tij Martin Cani kanë kërkuar ndihmë financiare për shpenzimet, për të paguar spitalin, psikologun, apo fizioterapistin.

Në një reagim zyrtar thuhet se gjatë qëndrimit në spital, ndaj 14- vjeçarit janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin fizik dhe psikologjik, dhe gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm.

Më tej nënvizojnë se gjendja e Luisit paraqitet e mirë dhe deri tani nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës.

Më herët pati edhe një reagim nga Policia e Shtetit, ku akuzonte mediat se kanë dezinformuar qytetarët për praninë e një autori të dytë në ngjarjen tragjike të disa ditëve më parë. Sipas uniformave blu, autori i vetëm i vrasjes së 14 vjeçarit është Mario Përlleshi.

Reagimi i Spitalit të Traumës:

Informacion për interesin publik, nisur nga aludimet për mungesën e shërbimit ndaj pacientit 14 vjeçar i plagosur pranë Shkollës “Fan Noli”:

Në lidhje me rastin e pacientit 14- vjeçar i cili ka mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës më 18 nëntor, dëshirojmë të bëjmë me dije se ekipi mjekësor i Pranim Urgjencës i ka dhënë pacientit shërbimin mjekësor të nevojshëm dhe pas stabilizimit të gjendjes fillestare ai është shtruar për të vazhduar trajtimin në pavionin e Kirurgjisë së Përgjithshme.

Përveç kujdesit mjekësor intensiv, pacienti ka marrë edhe mbështetje psikologjike nga psikologët. Gjatë qëndrimit në spital, ndaj 14- vjeçarit janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin fizik dhe psikologjik, dhe gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm.

Në momentin që ka qenë i nevojshëm dhe i mundur, pacienti ka filluar trajtimin fizioterapik, i cili është në vijim dhe ka dhënë rezultate pozitive. Aktualisht, gjendja e pacientit paraqitet e mirë dhe deri tani nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës.

Mirënjohje për ekipin mjekësor dhe të gjithë specialistët që po ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së pacientit dhe sigurojmë publikun që Spitali Universitar i Traumës vazhdon të ofrojë kujdes mjekësor të specializuar dhe gjithëpërfshirës për të gjithë pacientët.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *