Hetimet për zbulimin e personave që kryen sulmin me armë ndaj godinës së televizionit Top Channel kanë bërë që policia të ketë në dorë tashmë prova të rëndësishme, të cilat mund t’i çojnë drejt zbardhjes së ngjarjes së rëndë.
Pas analizimit të mbetjeve në makinën tip “Range Rover” që u gjet pjesërisht e djegur së bashku me armët e krimit model AK-47, si dhe kqyrjes së gëzhojave të gjetura në vendngjare, është arritur të sigurohet material ADN-je që do të shkojë tashmë për analiza në laborator për të parë se kujt i përket.
Gjithashtu, një shenjë gishti është gjetur në pjesën e makinës që i ka shpëtuar djegies. Makina me të cilën autorët kryen krimin dhe u larguan, dyshohet të ketë pësuar defekt ndaj dhe është braktisur prej tyre në mes të rrugës, pranë Golemit.
Hetuesit tashmë kanë në dorë tre profie ADN-je dhe gjurmën e plotë të gishtit. Është gjurma e gishtit që raportohet se i përket një personi me rrezikshmëri shumë të lartë, megjithatë deri tani nuk ka ende një emër, apo shpallje në kërkim të ndonjë personi.
Për zbardhjen e ngjarjes, policia ka vendosur edhe një shpërblim prej 100 mijë eurosh, për këdo që jep informacion të vlefshëm.
Top Channel e ka quajtur ngjarjen si sulm terrorist ndaj fjalës së lirë, ndërsa opinionistë të njohur dhe gazetarë janë shprehur se ngjarja është më tepër një “mesazh ndaj vetë pronarëve të televizionit”. Pistat e dyshuara janë të shumta megjithatë, të gjithë dakortësohen në pikën se kjo ngjarje e rëndë duhet të zbardhet sa më parë.