Në kuadër të ciklit për gjuhën shqipe në “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTV ishte sot për të folur për problematikat e gjuhës sonë gjuhëtari Rami Memushaj. Memushaj foli gjatë për përdorimin e gjuhës shqipe nga institucionet, në shkolla, por edhe nga emigrantët. Për gjuhëtarin, Matura Shtetërore duhet të hiqet urgjentisht, pasi po vret gjuhën shqipe, po vret leximin.
“Në të gjithë botën respektojmë gjuhën letrare dhe nuk respektojnë shkeljet gjuhësore. Ka rënë kërkesa dhe interesi për studimin e gjuhës shqipe. Interesi është rritur për juridikun, informatikën dhe ekonominë. Por, kjo do të krijojë mungesa në të ardhmen. Ministria e Arsimit duhet të shohë politikat për kuadër në të ardhmen. Për mua matura shtetërore vrau talentin dhe prirjen. Matura shtetërore është kthyer në një mashtrim të madh, sepse dalin tezat. Mësuesit sidomos në shkollat e periferive i ndihmojnë nxënësit me zgjidhjet për të mos dalë keq shkolla e tyre. Matura shtetërore është edhe e kushtueshme. Transporti me helikopter i tezave dhe pagesat për kontrollet e tyre, janë shumë të kushtueshme. Nëse nuk hiqet, të paktën të jetë me konkurs, që studenti të dijë se ku do të studiojë. Matura shtetërore vrau edhe leximin. Po i kthen fëmijët në parazitë, sepse po mësohen që në shkollë që nuk i përkushtohen leximit sepse ata kalojnë dhe marrin klasën pa lexuar. Ka pak shkolla profesionale dhe pak profesione. Tregu është mbushur me profesione që nuk ka hapësira. Këto profesione me tepri plasën si një bombë, që ne po e ndjejmë edhe sot. Në kohën e Enver Hoxhës kishte dhe drejtor shkollash të paaftë, por megjithatë mësuesit bënin të tyren. Shqiptarët ikin për t’ju dhënë një shkollim të mirë fëmijëve, për t’ju dhënë një të ardhme të mirë për jetën e tyre. Një arsim jocilësor po i largon shqiptarët.”, u shpreh gjuhëtari në DritareTV