Kukësi është një prej qyteteve më të prekura nga emigrimi masiv, kryesisht drejt Britanisë së Madhe. Shifrat tregojnë se qyteti është zbrazur masivisht, aq sa ua ka bërë të vështirë edhe politikanëve vendorë të mos kenë se kujt t’ia kërkojnë votën
Kjo mesa duket ka bërë që kryebashkiaku aktual i qytetit, Safet Gjici të niset drejt Londrës, për të zhvilluar një tur bashkëbisedimi me kuksianët që ndodhen aty.
Gjici thotë se do të diskutojë me ta projektet zhvillimore që janë bërë deri tani dhe ato të planifikuara për të ardhmen, ndonëse ata kuksianë tashmë janë më të interesuar për planet e Sadiq Khan.
“Vijojmë me turet bashkëbiseduese këtë herë me emigrantët kuksianë që janë në Londër, me fokus diskutimi projektet zhvillimore që janë bërë deri tani dhe ndarjen e vizionit për punët e ardhshëm që e presin Kukësin”, shkruan Gjici në rrjetet sociale, teksa njofton datën dhe orën kur do të mbledhë kuksianët në Londër.
Mesa duket është e vërtetë shprehja se kur afron fushata, politikanët shfaqen edhe në zonat më të thella për të kërkuar votën, por t’i ndjekësh këmba këmbës banorët që qyteti ka humbur për shkak të keqmenaxhimit deri në emigrim, nuk ishte dëgjuar më parë.
E njoftimi i Gjicit, duket se nuk ka kaluar pa ironi nga kuksianët që ndodhen në Londër.
“Hajde hajde se ene ktu jeni te dasht mos me na lan rahat”, i shkruan një prej tyre në Facebook.
Një tjetër i komenton: “Ça leshin bën o Gjic, pasi i përzë, shkon dhe bën dhe show aty ku kan shku”.