Algert Alcani, Shaqir Alcani dhe Edmir Boci janë vënë në prangat e Policisë së Elbasanit, pas një operacioni të gjerë që është zhvilluar gjatë gjithë natës, me ndihmën e Operacionales. Këta shtetas, kanë kërcënuar pronarin e një kompanie që të tërhiqej nga një tender që kishte fituar në Bashkinë e Tiranës.
Mësohet se biznesmeni i kërcënuar është shtetasi Erald Myftari. Pasi nuk ka pranuar të tërhiqej nga gara që kishte fituar, Myftarit i është vendosur pistoleta në kokë nga një prej të arrestuarve, shtetasi Algert Alcani. Biznesmenit nga Cërriku i është thënë se do të vritej ai dhe familja e tij.
Në këto kushte, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, Policia është vënë në lëvizje dhe gjatë mbrëmjes deri në mëngjesin e sotëm, ka arrestuar Algert Alcanin, Shaqir Alcanin dhe Edmir Bocin, ndërsa në kërkim është shpallur dhe një person tjetër.
Një prej të arrestuarve, shtetasi Shqir Alcani, është pronari i kompanisë “Alcani shpk” që merret me furnizimin e subjekteve me lëndë drusore. Tenderi i fituar nga biznesmeni tjetër Erald Myftari, ka bërë që Alcani dhe persona të lidhur me të të vihen në lëvizje për ta kërcënuar që të tërhiqej nga procedura publike e prokurimit.
Pas një hetimi proaktiv njëmujor, strukturat hetimore të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Tenderi”. Në kuadër të këtij operacioni u kapën dhe u ndaluan shtetasit:
Edmir Boci, 37 vjeç, Algert Alcani, 27 vjeç dhe Shaqir Alcani, 62 vjeç, tre banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. K., 38 vjeç, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shtrënguar me anë të kanosjes, shtetasin Erald Myftari, administrator i një biznesi me qendër në Cerrik, Elbasan, duke i kërkuar që të tërhiqej nga një procedurë konkurrimi (tender publik), e fituar në bashkinë e Tiranës, nga firma e që ai administronte. Shtetasi Erald Myftari nuk ka pranuar të tërhiqet dhe këta shtetas e kanë kërcënuar se do të vrisnin atë dhe familjarët e tij”, njoftoi Policia e Elbasanit.