Gjykata e Korçës ka caktuar masën e arrestit me burg për Voltan Shulkun, Arian Manellarin dhe Leonidha Guçen, të cilët akuzohen se kanë tentuar të fshehin vrasjen e Egli Progës në Pogradec.
Ditën e sotme kanë qënë dy prokurorët Dhorina Theodhori dhe Anjeza Kalanxhi, të cilët kanë paraqitur para gjykatës provat që kanë rënduar situatën për tre dëshmitarët.
Ka qënë gjyqtarja Luljeta Kole ajo që ka pranuar kërkesën e organit të akuzës duke i lënë në burg pa afat të tre dëshmitarët okularë të ngjarjes ku humbi jetën Egli Proga.
Të tre të implikuarit janë dëshmitarët kyç të ngjarjes së ndodhur në qytetin e Pogradecit, ku mbeti i vrarë Egli Proga, 42 vjeçari, babai i dy fëmijëve.
Sipas akuzës, Voltan Shulku pas ngjarjes ka kryer pastrimin e ambientit të lokalit ku ka ndodhur ngjarja duke prishur provat kryesore të hetimit. Po ashtu, një automjet është larguar nga vendi i ngjarjes nga dëshmitarët ndërkohë që sipas prokurorisë janë fshirë disa pamje filmike nga vendi i ngjarjes.
Shulku, Manellari dhe Guçe u arrestuan më 12 Tetor, me urdhër të Prokurorisë. Më herët, Gjykata kishte dhënë caktuar ndaj tyre masën “detyrim paraqitjeje”, duke shkaktuar polemika.