Policia e Korçës ka vënë në pranga dy persona, në lidhje me një ngjarje të ndodhur tre javë më parë, ku 5 persona tentuan të vrisnin një 18-vjeçar.
Në pranga kanë rënë shtetasit, Andrea Diamandi dhe Idlir Spaho, ndërkohë u proceduan penalisht edhe 2 të tjerë, të cilët fshehën provat materiale të kryerjes së krimit.
Policia sqaron se 27-vjeçari, “Andrea Diamandi më datë 19 qershor në aksin rrugor “Korçë-Voskop”, në bashkëpunim me shtetasit S. S., 25 vjeç, S. S., 33 vjeç, Dh. D., 33 vjeç, dhe M. B., 39 vjeç, banues në Korçë, me automjetin “Rang Rover” kanë përplasur automjetin me drejtues shtetasin M. J., 18 vjeç, të cilin dyshohet se kanë tentuar t’a vrasin duke e goditur me mjete të forta në dukje armë zjarri, e cila nuk ka realizuar qitje”.Ndërsa 51-vjeçari Idlir Spaho dyshohet se ka përkrahur 27-vjeçarin me të cilin ka lidhje shoqërore.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e Spahos në lagjen nr. 4, Korçë, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatike dhe 1 krehër me 30 fishekë.
Njoftimi
Korçë/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.
Kapet dhe vihet në pranga 27-vjeçari i shpallur në kërkim, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 19.06.2024, ku në bashkëpunim me 4 shtetas të tjerë tentuan të vrisnin shtetasin M. J.Arrestohet në flagrancë edhe një shtetas tjetër, i cili përkrahu 27-vjeçarin dhe posedonte në banesë armë zjarri me municion.