Ngjarja tragjike ditën e djeshme në Greqi për Nikollën i cili u mbyt në det, ka bërë një bujë të madhe. Djali i vogël u largua nga shtëpia fshehurazi nënës së tij pasi ajo nuk i dha leje për të notuar në det. Nikolla e kishte shumë qejf detin dhe donte të shkonte me një mikun e tij për të notuar.
Në kohën kur djali u largua fshehurazi nëna e tij po kujdesej për foshnjen të cilën e kishte sjellë në jetë pak muaj në parë.
Policia ka arrestuar nënën nën akuzën “Vrasje nga pakujdesia” e cila më vonë është liruar me urdhër të prokurorit.
Nëna e djalit tha së po kudesej për foshnjën dhe në momentin që Nikolla i vogël i humbi nga sytë ajo doli t’a kërkojë por për ato 10 minuta dëmi ishte bërë.
Nikolla, i cili ishte nxënës i klasës së parë, ishte me nënën e tij në shtëpinë e tyre, disa dhjetëra metra larg plazhit dhe donte të notonte. Sipas raportimeve deti ishte i trazuar dhe një dallgë e fortë kishte tërhequr djalin.
Prindërit e kërkonin, ai doli nga shtëpia pa e kuptuar. Ky fëmijë e donte shumë detin, shkonte rregullisht në det. Ai u gjet vetëm dhe kur e zbuluan ishte tepër vonë”, tha Pavlos Baritakis, kryebashkiak i Viannos.
Një banor aty pranë e ka parë djalin duke notuar me fytyrë poshtë dhe pa ndjenja dhe menjëherë ka ngritur alarm duke kërkuar ndihmë dhe ka njoftuar ambulancën.
“Nuk frynte erë, por kishte një valë të heshtur, deti është shumë i rrezikshëm, sepse ka rryma. Rryma e mori që andej dhe e solli në port, por në një gjendje ku kishte humbur ndjenjat. Kishte një puls të lehtë, por nuk merrte frymë. Për gjysmë ore disa njerëz që dinin ndihmën e parë po përpiqeshin ta rivendosnin atë . Ambulanca zbriti, erdhi një mjek dhe ajo pa që kishte një puls. Nuk kishte njeri në plazh që ta shihte fëmijën ”, tha ai.
Nikolla ishte me origjinë nga Shqipëria dhe prindërit e tij punonin në serra për të siguruar kushtet e fëmijëve të tyre. Gjithashtu edhe banorët dhe fqinjët kanë shprehur mendime të mira për familjen shqiptare.
Dëshira e vetme e prindërve të Nikollas është të varrosin djalin e tyre në Shqipëri por gjendja financiare e tyre nuk e përballon këtë transferim madje as varrimin e tij.
Shoqata e Zbukurimit të Arsimit Kulturor Arvi, bën të ditur se merr përsipër shpenzimet e transportit dhe varrimit të Nikollës në vendlindje, ndërsa po nis një mbledhje fondesh në bashkëpunim me shoqatën e prindërve dhe kujdestarëve të kopshtit dhe shkollës fillore Arvi, mësues të shkollës shoqata dhe Famullia e Arvit.
Vdekja e djalit të vogël ka sjellë reagime të shumta edhe nga mësuesja e tij banorë të zonës madje edhe kryebashkiaku dhe presidenti i shoqatës kulturore Arvi të cilët ndodheshin të pranishëm në vendngjarjen dhe u vërsulën për të ndihmuar.
“Ishte dhe është engjëll. Ai ishte një fëmijë i përsosur. E them sepse do të ishte bërë engjëll herët, sepse ka qenë edhe engjëll gjatë shtatë viteve që u ul në tokë” thotë me lot në sy i shokuar edhe mësuesja e tij, e cila nuk mund ta besojë se Annis ose ndryshe Nikolla nuk do të jetë në shkollë të hënën e ardhshme.
“Çfarëdo që të themi është pak. Jemi të gjithë të shokuar”, tha presidenti i shoqatës kulturore të Arvit, Yannis Karpathakis, i cili ishte ndër të parët që u vërsul në vendin ku u gjet trupi i fëmijës së vogël.
“Në një tragjedi të tillë duhet të heshtim. Përballë zisë, të mos jemi kritik”, shtoi Karpathakis, duke theksuar se prindërit e Nikolas janë njerëz të shkëlqyer, të cilët punojnë gjithë ditën për tu ofruar më të mirën fëmijëve të tyre.
I tronditur nga ngjarja tragjike, tha kryebashkiaku i Viannos, Pavlos Baritakis, i cili ndodhej në vendngjarje që në momentin e parë.
“Komuniteti lokal është i tronditur nga ngjarja tragjike”, theksoi ai, ndërsa shtoi: Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mbajnë gjithmonë fëmijët nën mbikëqyrje të rreptë. Edhe nëse nuk ka valë, një incident ose pakujdesi mund të çojë në vdekje.