Një tjetër ngjarje e rëndë është shënuar brenda 24 orëve në Korçë, ku një grua është hedhur nga tarraca e një pallati.
Mësohet se një 67-vjeçare është hedhur nga tarraca e një pallati në lagjen 9 të qytetit, në afërsi të terminalit të autobuzëve.
Sofie Stefa ka ndërruar jetë menjëherë, ndërsa nuk dihen shkaqet e këtij akti të rëndë. Policia ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Ndërkohë dy gra të tjera i kanë dhënë fund jetës në qytetin e Korçës ditën e djeshme (4 Korrik).
Një 49-vjeçare ka lyer veten me lëndë djegëse, i ka vënë flakën vetes dhe më pas është hedhur nga ballkoni. Ajo pësoi djegie e dëmtime trupore dhe u dërgua në spital, por nuk arriti që t’i mbijetojë plagëve të marra.
“Sot më datë 04.07.2024 rreth orës 14:30, në lagjen nr.10, Korçë, shtetasja S.K., rreth 49 vjeçe, dyshohet se është lyer me lëndë djegëse, i ka vënë flakën vetes dhe më pas është hedhur nga ballkoni. Si pasojë kjo shtetase ka marrë djegie dhe dëmtime trupore”, informoi policia.
Gjithashtu një 62-vjeçare piu fostoksinë në banesën e saj në fshatin Kuç i Zi. Gruaja me iniciale L. A., u dërgua për mjekim në spital, por ndërroi jetë.
“Pasditen e sotme, në fshatin Kuç i Zi, Korçë, në banesën e saj, shtetasja L. A., rreth 62 vjeçe, dyshohet se ka konsumuar lëndë helmuese fostoksinë. Kjo shtetase u dërgua për mjekim në spital, ku për pasojë ka ndërruar jetë”, raportuan uniformat blu ditën e djeshme.