Monedhat e huaja kanë vijuar tendencën rënëse edhe gjatë ditës së sotme.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 104.55 lekë, me një rënie prej 0.3 lekësh në raport me ditën e mëparshme, duke arritur në një tjetër rekord minimal historik, që nga viti 2002, kur euro filloi të funksiononte si monedhë fizike.
Ditën e djeshme euro shënoi rënien më të madhe ditore të këtij viti, ndërsa ritmet e rënies sot janë ngadalësuar disi. Gjithsesi, vetëm në tre ditët e para të kësaj jave euro është nënçmuar me 1.89 lekë.
Në tendencë nënçmuese ka vijuar edhe dollari, që ka zbritur në 95.99 lekë, ose 0.19 lekë më pak se dita e mëparshme, duke u këmbyer në nivelet më të ulëta të 12 viteve të fundit. Në rënie vijuan dhe Paundi Britanik, 121.96 lekë (-0.21 lekë), e Franga Zvicerane, 106.85 lekë (-0.64 lekë).
Luhatjet kanë shënuar panik në treg dhe kanë lënë hapësira për spekulime, sipas aktorëve të tregut. Rënia vijoi dhe pas mesditës së djeshme, me euron që zbriti në treg në 104 lekë. https://www.monitor.al/ekonomia-ka-ngecur-por-leku-rrezon-te-gjitha-valutat-tregu-mbytet-me-euro-zbret-ne-nje-tjeter-minimum-historike/
Diferenca në shitblerje u rrit deri në dy lekë, nga 0.5-1 lekë që është zakonisht.
Kursi zyrtar i sotshëm i Bankës së Shqipërisë reflekton më shumë rënien e fortë të ditës së djeshme, ndërsa në tabelat e agjencive më të mëdha valutore sot euro kuotohet me rritje të lehtë dhe diferenca në shit-blerje është ulur në 1 lekë.
Që nga fillimi i këtij viti euro ka rënë me 11.5 lekë, ose me gati 10%, ndërsa këmbehet me 14.4 lekë (12.1%) më pak se 5 korriku i një viti më parë. Rënia ka qenë më e theksuar duke filluar nga maji.
Aktorët e mëdhenj të tregut thanë se kjo tendencë është e lidhur me ofertën e lartë në treg, që vjen si nga turizmi ashtu dhe nga burimet informale, që kanalizohen kryesisht në pasuritë e paluajtshme. Në kahun tjetër pothuajse asnjë nuk tërheq më euro, duke bërë që monedha e përbashkët të bjerë në mënyrë të vazhdueshme./ Marrë nga Monitor