Të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Greqi, ku Fatmir Telallari vrau kunatin e tij, Erjon Pelivani, pasi i përdhunoi vajzën që ai kishte nga martesa e parë.
Mediat greke kanë zbardhur dëshminë e 18-vjeçares, e cila ka treguar arsyen pse vendosi që t’i tregonte të atit vetëm pas 9 vitesh për abuzimin që ajo po përjetonte.
“Fillova t’i them babait se dikush më ngacmoi që në moshën 9-vjeçare dhe se përdhunimi filloi në moshën 12-vjeçare. Unë shpërtheva në lot. Babai më përqafoi. Ai reagoi shumë gjakftohtë dhe më tha se do të jetë pranë meje. Më tha të gjeja guximin të shkoja te një avokat për ta denoncuar”- ka thënë vajza.
Në lidhje me shantazhet dhe paratë e marra nga vëllai 33-vjeçar i njerkës, vajza ka deklaruar se i ka dhënë 1000 euro që të mos publikonte videot intime, me të cilat ai e kërcënonte.
“Më tha se i duheshin para se kishte nevojë. Në çantë kisha 1000 euro që më kishte dhënë babai në mëngjes për qiranë. Duke u kthyer në makinë, ai më tha se i kishte marrë nga çanta ime dhe nuk do të më shqetësonte më. Iu luta të mos bënte asgjë me videot.
Të nesërmen kuptova se kishte lënë rreth 150 euro nga paratë që kisha në çantë. Kisha frikë prej tij. Kisha frikë se ai do të më dëmtonte mua, motrat e mia, babain tim”, mësohet të ketë deklaruar ajo.
18-vjeçarja aktualisht është studente në një qytet të Greqisë. Babai i saj i mori me qira një apartament atje dhe i dha para për ta paguar. Të dielën e kaluar, pronarja e saj i tha se qiraja ishte e vonuar dhe pikërisht atëherë filloi të shpaloset lëmshi i tmerreve.
“Babai im u informua nga pronarja se unë i kisha borxh 4 qira në shumën 1040 euro. Ai më kishte dhënë këto para, por unë nuk i kisha paguar. Të nesërmen në mëngjes erdhi babai për të më gjetur. Në fillim nuk doja t’i tregoja. Por më vonë, ia shpjegova të gjithë historinë që në fillim. I kërkova të qëndronte i qetë dhe vendosa t’i zbuloja se çfarë më kishte ndodhur shumë vite më parë.
Më pyeti se kush ishte por nuk pata guxim t’i tregoja. Avokati më tha të filloja të shkruaj atë që më kishte ndodhur. Kam vizituar një specialist. Babai ishte gjithmonë pranë meje, duke qarë, duke ndier keqardhje për atë që më ndodhi. Ai donte të më mbronte, më përqafoi, më puthi. Ai këmbënguli që unë t’i tregoja se kush është.”- tha ajo.
18-vjeçarja ka shkruar në një fletore gjithçka që ka ndodhur që nga ngacmimi i saj i parë seksual. Të martën në mëngjes, ajo vendosi t’i tregonte babait të saj emrin e dhunuesit.
“Babai im vazhdimisht qante dhe fajësonte veten për atë që më ndodhi. Më erdhi keq për të dhe i thashë se është vëllai i njerkës sime, gruas së tij të dytë. Me të dëgjuar këtë, ai u trondit. Atëherë ai insistoi edhe më shumë që të vazhdoja me ankesën. I kërkova kohë për të folur me psikiatrin dhe dukej se ishte dakord. Mësuesja ime erdhi në shtëpi dhe i kisha treguar më parë se çfarë po ndodhte, por jo në detaje rreth një vit më parë, kur i kisha thënë edhe motrës sime”, rrëfen më tej.