Drejtuesi politik i qarkut të Korçës, Niko Peleshi, vizitoi në Ditën Ndërkombëtare të Komunitetit Rom, familjen e Dritson Kurtit, të përfshirë në një ngjarje që ka prekur jo vetëm komunitetin rom, por edhe më gjerë.
“Kam ardhur këtu për arsye njerëzore. E kuptoj plotësisht pozicionin e drejtësisë, por nuk duhet të harrojmë se sot është edhe Dita Ndërkombëtare e Komunitetit Rom, dhe shumë familje të këtij komuniteti po përballen me sfida të ngjashme”, u shpreh Peleshi.
Duke u ndalur te rasti konkret, ai tha se përballja me martesat në moshë të mitur kërkon më shumë sesa ndëshkim penal. “Ligji është i drejtë, por edhe traditat që e kanë sjellë këtë realitet duhen sfiduar. Ky nuk është vetëm një problem ligjor, por një plagë sociale që kërkon punë të thellë dhe të qëndrueshme”, shtoi Peleshi.
Gjatë bisedës me familjarët, Peleshi vlerësoi faktin se ka një vetëdije në rritje për ndryshimin: “Edhe vetë komuniteti e pranon që kjo është një traditë që duhet të marrë fund. Por paragjykimet dhe mungesa e informacionit vazhdojnë të jenë barriera të mëdha.”
Ai bëri thirrje për një angazhim të përbashkët të institucioneve, shoqërisë civile dhe vetë komunitetit për të ndalur praktika që dëmtojnë të miturit dhe të ardhmen e tyre. “Duhet të jemi bashkë për ta trajtuar këtë plagë me edukim, me projekte për integrimin e komunitetit dhe me mbështetje sociale.”
“Shpresoj që fjala ime dhe zëri i kësaj familjeje të dëgjohen me kujdes. Nuk është çështje qeverie, është çështje drejtësie dhe ndërgjegjeje. Por gjithashtu është edhe thirrje për t’u zgjuar si shoqëri. Koha për ndryshim ka ardhur,” përfundoi Peleshi.