Rasti i zyrtares Alda Klosi, nuk është i pari dhe i fundmi në muajt e fundit, kur shërbyes të nivelit të lartë të qeverisjes në pushtet, gjenden të përfshira në akte korruptive apo kriminale.
Erisa Fero, është një tjetër zyrtare e ndaluar, këtë herë për trafikim të lëndëve narkotike, midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ajo u arrestua më flagrancë, më 28 dhjetor 2022, në aksin Pogradec-Korçë, në momentin kur po kryente shkëmbimin e një sasie lënde narkotike, prej 58 kg marijuane, në bashkëpunim me dy persona të tjerë.Zyrtarja e lartë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, njohur ndryshe si AKSHI, ishte në vëzhgim prej disa kohësh nga policia.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’ ajo ishte pikasur fillimisht në këtë aks rrugor më datë 8 Dhjetor 2022, ku u evidentua edhe aktiviteti i saj kriminal si edhe i shoqëruesve të saj.
Më datë 8 Dhjetor 2022 në aksin rrugor Pogradec-Korçë rreth orës 17.30 është konstatuar në drejtim lëvizje për në Pogradec automjeti tip ‘Ford Fiesta’ me targë AA 757 YN dhe pasi tij automjeti i markës ‘Volksvagen Golf 5’ me targa AA 077ZT, në posedim të shtetases Erisa Fero.
Erisa Fero është lidhje shoqërore më Like Basha dhe Endri Karaj. Ajo është e punësuar në AKSHI. Zakonisht kjo shtetase kryen transportimin e lëndës narkotike në ditët e pushimit me automjetin Volksvagen.Do të ishte ky moment kur agjentët e policisë filluan të mbanin në vëzhgim tashmë zyrtaren e AKSHI-it, dhe miqtë e saj. Ku evidentuan të gjitha lëvizjet e saj, si edhe mënyrën se si e kryenin shpërndarjen e lëndës narkotike.
“Kjo shtetase shkon me automjetin e saj në qytetin e Krujës ku merr lëndën narkotike të personat e mësipërm dhe më pas niset për në drejtim të Pogradecit dhe Korçës. Kur kontrollohet nga policia, kjo shtetase prezantohet si punonjëse në ministri, me qëllim që të mos i nënshtrohet kontrollit.
Për të siguruar rrugën e kësaj shtetase dhe për të shkëmbyer lëndën narkotike cannabis sattiva me pritësit në Pogradec dhe Korçë vijnë edhe shtetasit Like Basha, Endri Karaj, Martin dhe Ramiz Xaka. Këta shtetas përdorin automjetet e markës ‘Seat Leon’ dhe ‘Ford Fiesta’. Zakonisht ata qëndrojnë 500-1000 m para makinës që transporton lëndën narkotike, me qëllim për të kontrolluar rrugën dhe për të njoftuar Erisën nëse ka postbllok policie”, tthuhet në dosjen hetimore.
Të gjendur përballë një veprimtarie të provuar kriminale, agjentët e policisë në qytetin e Korçës, kryen në flagrancë edhe arrestimin e zyrtares së AKSHI-t, arrestim, i cili siç thamë erdhi më 28 Dhjetor 2022.
Gjatë një tjetër episodi, kur Erisa Fero dhe bashkëpunëtorët e saj po kryenin shkëmbimin e radhës të lëndës narkotike.
“Më datë 28 Dhjetor 2022 shërbimet e Policisë Korçë morën informacion nga SPTIMSHI se shtetasja Erisa Fero ishte nisur në drejtim të Pogradecit me automjetin e saj ‘Volksvagen Golf’ me targa AA 077 ZT.Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, shërbimet e policisë u organizuan për të kryer verifikimin, ndjekjen dhe kontrollin e këtij automjeti. Në oren 17:25 në afërsi të Qafë Thanës u konstatua automjeti ‘Ford Fiesta’ me targa AA 757 YN në drejtimin e të cilit ndodhej shtetasi Likë Basha dhe në vendin e pasagjerit shtetasi Maringlen Karaj.
Pak minuta më vonë pranë këti vendi vjen edhe automjeti ‘Volksvagen Golf’ me targa AA 077 ZT drejtuar nga shtetasja Erisa Fero”, thuhet në dosjen hetimore.
Sipas dinamikës së zhvillimit të ngjarjes, është ky momenti kur Erisa Fero dhe ortakët e saj në këtë aferë kriminale, kryejnë sikundër kishin bërë edhe më herët, shkëmbimin e lëndës narkotike.
“Në afërsi të hotel “Lini” në zbritje të Qafë Thanës Erisa del nga automjeti ‘Golf’ dhe hipën si pasagjere te automjeti ‘Ford’. Ndërkohë Likë Basha merr drejtimin e automjetit ‘Volksvagen’ dhe hyn me të në parkimin e hotel ‘Lin’, ndërkohë që automjeti tjetër ‘Ford’ lëviz në drejtim të fshatit Buqezë. Menjëherë shërbimet e policisë kanë bërë të mundur ndalimin dhe kontrollin e të dy automjeteve.
Në momentin që i janë afruar automjetit ‘Golf’, Likë Basha ishte duke vendosur pakot me lëndë narkotike në një çantë të madhe të zezë. Sapo ka parë punonjësit e policisë është larguar me vrap, por eshte ndaluar nga punonjësit e policisë. Ndërkohë që në automjetin ‘Ford’ është konstatuar si drejtues i mituri Maringlen Karaj dhe si pasagjere Erisa Fero”, sqarohet në dosje.
Por ndërsa kjo histori na tregoi edhe njëherë se si punonjës të administratës shtetërore, e vendosin postin e tyre në shërbim të aktiviteteve kriminale, është me interes të shikohet edhe vetë profili i zyrtares së përfshirë në këtë aferë, në këtë rast të 29 vjeçares, Erisa Fero.
Një profil vanitoz, ku e reja nuk stepej të tregonte në rrjetet sociale dëshirat dhe jetën e saj luksoze, ku ato që bien më së shumti në sy janë fotot me puro, aksesorët dhe veshjet e shtrenjta.
“Shumica e skandaleve që kanë ndodhur në Shqipëri, përfshi dhe skandalet e fundit lidhen me pjesën e parë, me emërimeve që kanë ardhur për shkak të lidhjeve politike dhe lidhjeve klienteliste. Nëse ne i shohim sidomos rastet flagrante të dy tre viteve të fundit ku ka patur skandale që kanë përfshirë administratën, po të shikoni shumica e individëve janë individë që ose kanë lidhje me titullarin, lidhje personale me titullarin, kanë qenë pjesë e stafeve elektorale, pjesë e partisë ose bëjnë pjesë në hierarkinë e lartë politike”, deklaron Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike.
Por përtej jetës mondane, ajo që nxiti investigimin e medias rreth këtij personazhi, ishte mënyra se si kjo e re kishte mundur të ishte pjesë e AKSHI-t, një institucion shumë i rëndësishëm qeveritar, që merret me ruajtjen e të dhënave.
Një ngjarje që ngriti edhe pikëpyetje të shumta se si rekrutohen punonjësit e administratës?
Sipas të dhënave të siguruara nga media, Erisa Fero, ishte punësuar fillimisht në administratë në vitin 2017. Një karrierë në ngjitje, të cilën ajo e kishte nisur pranë Agjencisë së Zbatimit të Reformës Territoriale.Por që shpejt emri i saj do të katapultohej në Inspektoriatin Qendror si Specialiste e Teknologjisë së Informacionit, detyrë ku do të shërbente nga viti 2019 deri në mars të vitit 2022.
Periudhën deri në arrestimin e saj në fundin e muajit dhjetor të këtij viti, kur ajo do të kryente funksionin e shefes së sektorit të IT-së pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, apo ndryshe AKSHI-t.
“Nga përvoja ime personale mund të them që ligji për nënpunësin civil sot duhet të ndryshojë sepse ajo që unë kam konstatuar është që administrata është nën presionin e politikës dhe duke qenë nën presionin e politikës është në poliqëndrimin e saj o të rrijë në punë ose të futet në burg”, thotë juristi Sokol Hazizaj.
Por ajo që e rëndoi edhe më shumë pozitën e zyrtares së AKSHI-t të kapur me drogë, ishte fakti se ajo e kryente aktivitetin kriminal, në momentin më të vështirë për këtë institucion, atë të sulmit të vazhdueshëm të hakerave, të cilët jo vetëm kishin mundur të cënonin rëndë sigurinë kibernetike të faqeve më të rëndësishme shtetërore duke i nxjerrë ato jashtë funksionimit, por po publikonin kohë pas kohe të dhëna të ndjeshme informative që lidheshin me sigurinë e qytetarëve.Një dhimbje koke kjo edhe për vetë qeverinë që ishte vënë me shpatulla pas murit, pas shpenzimit të miliona dollarëve, për të rritur sigurinë e informacionit, por që tashmë jo vetëm kishte dështuar keqazi në këtë mision, por duhet të përballej edhe me arrestimin e një zyrtareje të këtij institucioni.
Një zyrtareje, e cila ndërkohë që duhet ti përkushtohej maksimalisht punës së saj, u kap duke u marrë me trafikimin e lëndëve narkotike, një aspekt që na tregoi në një farë mënyre edhe inkriminimin e administratës.
“Në kulturën e përditshme është krijuar ideja që nëse je i korruptuar, nëse përdor pushtetin për korrupsion, nëse bëhesh i pasur për shkak të pushtetit ti nuk penalizohesh ,madje promovohesh në karrierë. Por ne kur bëmë ligjin e dekriminalizimit dhe filluam të hetojmë të dhënat e zyrtarëve që ndodheshin në administratë duke llogaritur që administrata publike ka 16 mijë individë, nga rreth 100 e ca mijë që është në total administrate publike, rezultoi që mbi 600 zyrtarë ishin me rekorde kriminale”, tha Afrim Krasniqi.
Ashtu si edhe në rastet e ngjashme, edhe rasti i zyrtares së arrestuar për drogë, Erisa Fero, ngriti shumë pikëpyetje.
A janë ata të kontrolluar në punën e tyre?
A po e kthen politizimi administratën në një segment të shfrytëzueshëm për krimin?
Ndërkohë që duke i besuar burimeve mediatike, Erisa Fero ishte kallëzuar më herët në Prokurori për manipulim votash, në kohën kur shërbente si komisionere për partinë në pushtet që duket se devotshmërinë ia shpërbleu, duke e punësuar në administratë.
Madje jo vetëm kaq, por duke e ngjitur shpejt në poste drejtuese./ Marrë nga BW