Është kthyer pranë foshnjes, dhe tashmë djepin e tund dora e nënës. Diana Bahçja është akoma e mpirë nga tronditja e arrestimit dhe shkëputjes nga fëmija vetëm 8 ditë pasi kishte lindur. Ajo tregon se në qelitë e burgut vetëm ka qarë dhe ishte e ndarë nga gratë e tjera.
“Për mua ishte shumë e vështirë. Nuk mund ta përballoja dot. Me zor kam ndenjur atje, duke qarë ditë natë. Aty kam ndenjur vetëm, nuk jam bashkuar me gratë e tjera”, tha Diana.
Nëna lehone rrëfen se ndonëse edhe në Drejtorinë e Policisë Shkodër edhe në kryeqytet kishte thënë që sapo kishte lindur askush nuk ka marrë parasysh këtë fakt, duke treguar moskokëçarje
“Infermieret u kujdesën për mua ty. Kur shkova te policia e Shkodrës thjesht më thanë që je dënuar 1 muaj e 10 ditë. Ata të Tiranës më thanë 1 muaj e 20 ditë. Erdhën të Tiranës më morën dhe më çuan. U tregova se sapo kisha lindur. Nuk donin t’ia dinin. Nuk kemi lidhje me atë punë. Kam ndenjur në Shkodër 3 orë, 4. Policia e Tiranës nuk kanë fol fare. Nuk më kanë dhënë përgjigje. Thjesht heshtën”, tha ajo.
Ajo shprehet se nuk ka qenë në dijeni as për gjobën dhe as për dënimin.
“Thjesht ka ardhur ai zotëria këtu tek shtëpia dhe më ka marrë”, tha ajo.
Tashmë ka një falenderim për gjithë ato qytetarë që janë solidarizuar me rastin e saj.
“I falenderoj shumë, shumë pa masë”, tha ajo
Kjo histori e rëndë që i preku të gjithë tashmë ka një fund të lumtur, nëna u rikthye në familje pas angazhimit të mediave, shoqërisë civile, por edhe pasi çështja mori vëmendje edhe në politikë./tvklan.al