Agata Carbonara, 52-vjeçarja italiane që mbeti e plagosur nga një plumb qorr natën e Vitit të Ri, teksa ndodhej me familjen e saj në sheshin e Tiranës mund të kthehet në Itali më 4 janar.
Aktualisht gruaja ndodhet e shtruar në spitalin universitar të Traumës në Tiranë. Avokati i familjes së saj tha se ajo është e vetëdijshme, megjithatë, gjendja është e rëndë. Plumbi e goditi atë në zonën midis veshit dhe fytit dhe i shpoi mushkëritë, duke i mbetur në gjoks.
Mjekët shqiptarë ende nuk ia kanë hequr plumbin pasi kanë preferuar ndërhyrjen e kolegëve të tyre italianë. Por riatdhesimi kërkon një fluturim të veçantë shpëtimi me helikopter dhe për rrjedhojë autorizime të veçanta. Për këtë arsye, nëpërmjet avokatit Candeloro, familja e gruas ka nisur një apel pranë institucioneve për të përshpejtuar procedurat për kthimin e saj. Vajzat e saj thonë:
“Ajo që po përjetojmë është surreale. Këto ditë, përveçse luftojmë për jetën e saj, ne jemi të detyruar të përballemi me një burokraci që pengon riatdhesimin e tij adekuat”.
Agata, e cila punon në kompaninë e bashkëshortit të saj, ishte duke ecur e qetë në sheshin e Tiranës me familjen e saj kur u godit nga një plumb qorr. Autoritetet shqiptare nuk e kanë identifikuar ende personin që ka qëlluar me armë zjarri, ndonëse dyshimet fokusohen tek një burrë që banon pranë sheshit. Agata thuhet se nuk ka marrë ndihmë të menjëhershme dhe familjarët flasin për praninë e dy patrullave të policisë në vendin e plagosjes dhe për një inerci të pretenduar të oficerëve në dhënien e ndihmës.
Presidenti i rajonit të Puglia-s, Michele Emiliano ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me bashkëshortin e 52-vjeçares për riatdhesimin e saj në Itali
“Ne po e ndjekim rastin dhe jemi të gatshëm ta mbështesim këtë familje që po përjeton orë të tëra ankthi dhe vështirësie, duke aktivizuar padyshim të gjitha sinergjitë institucionale sipas procedurave të vendosura për raste të tilla”.
Ndërkohë drejtori i departamentit të promovimit të shëndetit në rajon, Vito Montanaro, alarmoi koordinimin e urgjencës shëndetësore 118 dhe Poliklinikën e Barit, e cila tashmë ka kontaktuar me objektin spitalor shqiptar. Drejtoresha e qendrës së operacioneve 118, Anna Maria Natola, do të koordinojë transferimin e pacientes nga Tirana, i cili mund të bëhet vetëm pas kontrollit të transportueshmërisë, procedurë që e kryen Poliklinika e Barit, pasi të jetë marrë miratimi për transportin. Një helikopter urgjence do të mund të fluturojë drejt Tiranës me një ekip mjekësor nga ambulanca ajrore e Foggia-s, i cili do të kujdeset për pacientin dhe do ta transportojë atë në Bari.