Ngjarja e raportuar aksidentale ditën e djeshme në Pogradec, ku humbi jetën 42 vjeçari Egli Proga ka rezultuar se nuk ishte e tillë.Burime nga policia bëjnë me dije se viktima është goditur nga një person i identifikuar tashmë si Denis Meçe, i cili e ka dhunuar dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Mësohet se dy personat janë konfliktuar në afërsi të një lokali, ndërsa viktima pasi është goditur nga Meçe, ka hyrë brenda lokalit dhe ka qëndruar vetëm 2 minuta, e më pas ka dalë duke u rrëzuar në tokë për shkak të dhunës së shkaktuar.Policia ka vënë në pranga autorin e vrasjes Denis Meçe, si dhe 3 persona të tjerë, Voltan Shulku, Leonidha Guçe, Arian Manellari, për moskallëzim krimi.ka mbledhur të gjitha kamerat e sigurisë në zonë për të parë edhe momentet e konfliktit.
42 vjeçari, Egli Proga u transportua dje me urgjencë në spitalin e Pogradecit, por ndërroi jetë pak momente më vonë për shkak të hemorragjisë që pësoi nga dhuna e ushtruar.
Njoftimi i policisë:
Konfliktohet për motive të dobëta me një shtetas dhe gjatë konfliktit i shkaktoi dëmtime me pasojë vdekjen, kapet dhe vihet në pranga nga Policia autori i dyshuar.
Në pranga edhe tre shtetas të tjerë për moskallzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Në lagjen nr. 1 Pogradec, gjatë një konflikti për motive të dobëta shtetasi Denis Meçe, 29 vjeç, dyshohet se jashtë ambienteve të një lokali është konfliktuar fizikisht me shtetasin E. P., 42 vjeç, i cili gjatë konfliktit fizik është rrëzuar në tokë pa ndjenja dhe për pasojë ka ndërruar jetë.Shtetasi D. M., 29 vjeç, pas konflikt është larguar nga vendi I ngjarjes por falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, shërbimet e Seksioni për Krimet Kundër Personit në DVP Korçë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit:Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç, dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç, për veprat penale “Moskallzim krimi”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës.Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.