Ky që shihni në këtë foto është 42-vjeçari Rigels Kaso nga qyteti i Bilishtit, i cili është rrahur dhunshëm nga persona ende të paidentifikuar në Tiranë.
Ende policia dhe prokuroria e Tiranës që po ndjekin rastin nuk kanë mundur të identifikojnë autorët, por i riu nga Bilishti është futur në trajtim intubimi në spitalin e Traumës në Tiranë.
Rigels Kaso, ushtronte aktivitetin e inxhinjerit elektrik, duke kryer instalime elektrike dhe instalime kamerash në zona të ndryshme të vendit.
Tashmë hetimet për këtë rast po ndiqen nga oficerë të komisariatit Nr.6 në Tiranë dhe prokuroria e Tiranës.
Kaso u gjend sot pa ndjenja dhe me shenja dhune rreth orës 06:00 e mëngjesit në rrugën “Sokrat Miho” në Tiranë.
Dyshimet janë se ai është dhunuar fizikisht në një vend tjetër dhe më pas trupi i tij pa ndjenja është lënë në atë zonë, duke u gjetur nga kalimtarët e rastit.
Ndërkohë që fqini i tij në Bilisht në një intervistë tregon se e njeh për njeri shumë të mirë dhe djalë të shkëlqyer. Edhe pse 42-vjeçari prej 2-3 ditësh nuk ishte parë në pallatin ku jetonte, fqinji tregon detaje edhe rreth familjes së tij.
‘’Ishte djalë i shkëlqyer, edhe mos e kishe mendje do të fliste nëse të shihte në rrugë, jo vetëm mua por të gjithëve. Tani po e bisedoja me gruan edhe u çuditëm. Ai jetonte në Bilisht, në këtë pallatin këtu. Këto 2- 3 ditë nuk e kam parë. Ai jetonte vetëm, e ëma jetonte jashtë shtetit. Ai rrinte me gjyshen, pas vdekjes së gjyshes jetonte vete. Ai ishte specialist elektrik, punonte edhe punë private kur e thërrisin. Edhe ne kur kishim probleme e thërrisnim e vinte, nuk na merrte as lekë. Nuk punonte në Tiranë, se di pse ka shkuar. Nuk e di çfarë ka në Tirane. Si njeri është i shkëlqyer’’– tha fqinji.