U rrit pa nënën që e humbi në tragjedinë e Gërdecit, Denisa: “Njerëzit më thonë se i ngjaj shumë”

Denisa Alhasa ishte 4 vjeçe kur shpërthimi i Gërdecit i mori të ëmën, Shqipen, e cila punonte në fabrikën e armëve në Gërdec.

E ëma iu vra së bashku me shumë të tjerë dhe prej 15 vitesh nga humbja e saj, Denisa sot 19 vjeçe, nuk e ndan fotografinë e fundit ku të dyja nënë e bijë janë të përqafuara.

“I kam ngjarë shumë dhe të gjithë më thonë që i ke ngjarë shumë, qoftë nga karakteri, qoftë nga pamja e jashtme. Nuk e mbaj mend dhe ndoshta ka qenë pjesa që ndonjëherë më vjen edhe mirë dhe keq sepse nëse do ta mbaja mend do ta ndieja më shumë dhimbjen në shpirt”, ka thënë ajo.

Vajza gjeti fuqi të përballej me vendin ku humbi të ëmën, tre vjet më parë. E tani si edhe familjarët e të vrarëve të tjerë, mesditën e çdo 15 marsi kthehet në fshatin e dhimbjes së saj për të përkëdhelur memorialin ku është gdhendur emri i nënës.

Nga 15 marsi 2008 edhe në Gërdecin e gjunjëzuar atëkohë, forca e jetës ka triumfuar. Denisa që në 15 marsin e fatkeqësisë ishte një fëmijë, shumë detaje të tragjedisë i mësoi nga i ati. Të tjerat post tragjedisë i mësoi duke gjurmuar nëpër lajme. Dhe sa më shumë i shuhej portreti i nënës në kujtesë, aq më shumë ngulitej ideja se drejtësia nuk qe e drejtë ndaj dhe vendosi të studiojë për juridik.

15-vjetorin e tragjedisë, dosja e Gërdecit është hapur sërish duke u kthyer në një histori gjyqësore që ka ngjallur shpresë tek të gjithë ata që humbën njerëzit e dashur të zemrës. Sepse me kohën që kalon, mbetet vetëm dhimbja dhe drejtësia për 26 të vrarë dhe më se 300 të plagosur nga shpërthimi në ish-fabrikën e demontimit. Të tjerat janë kujtime, derisa drejtësia të flasë sërish./TopChannel

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *