Elton Tafa, një fermer nga Berati nuk e vrau shumë mendjen kur 10 tonë mandarina me pesticide u kthyen nga kroacia dhjetorin e vitit 2024. Vazhdoi te ferma e vetë të kultivonte me të njëjtën metodë të tjera prodhime, për të cilat kishte rënë dakord tia shiste një grumbulluesi si Arben Dyli.
Kur Kroacia ktheu pesticidet, dhe lajmi u mor vesh vetëm nga mediat Kroate, dy bashkëpunëtorët nuk e menduan gjatë. Kërkuan një certifikatë nga një tjetër bashkëpunëtor, që ishte inspektor pranë drejtorisë rajonale të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve, Elson Tahiraj,
Pasi u mor dokumentacioni, 10 tonë mandarina me përmbajtje të lartë të pesticidit Fosmet, i dëmshëm për shëndetin dhe i ndaluar, u hodhën të gjitha në tregun vendas. U shpërndanë nga Berati, Rroskoveci, Vlora, Lushnje dhe deri në Tiranë dhe u shitën të gjitha në treg. Shqiptarët kanë ngrenë 10 tonë mandarina me pesticide.
Policia dhe krimi ekonomik Berat që kur u kthyen mandarinat, filluan procedimin penal për të gjetur mënyrën sesi kishte funksionuar skema. Por ishin shumë vonë. Mandarinat ishin shitur.
Oficerët e krimit ekonomik zbërthyen skemën mashtruese, dhe ditën e djeshme, të tre këta persona u vunë në pranga, ndërsa njoftimi doli ditën e sotme në mëngjes.
Të tre personat akuzohen për “Prodhimin dhe shitjen e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Shkelje e rregullave mbi lëndët helmuese” dhe “Shpërdorim Detyre”.

Njoftimi
Seksioni për hetimin e Krimit ekonomik-financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Berat, pas hetimeve disa mujore të kryera në kuadër të Procedimit Penal nr.768 të vitit 2024, i regjistruar për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”, “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerezve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Shpërdorimi detyrës”, parashikuar nga nenet 281, 288, 288/c dhe 248 te K.Penal ka bërë ndalimin e shtetasve:
Arben Aqif Dyli, i datëlindjes 02.06.1969
Elton Hekuran Tafa, i datëlindjes 21.06.1979
Elson Petrit Tahiraj, i datëlindjes 10.05.1995
Ndalimi i ktyre shtetasve u bë pasi nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se shtetasi Elton Tafa me profesion Fermer ka shitur te shtetasi Arben Dyli (administrator i pikës së grumbullimit) një sasi prej rreth 10 tonësh mandarina, të cilat më pas subjekti i shtetasit Arben Dyli i ka eksportuar drejt Kroacisë. Nga autoritetet Kroate, janë kryer analizat e nevojshme nga ku ka rezultuar se sasia e mandarinave kishte përmbajtje të lartë të pesticidit “Fosmet”, pesticid ky i dëmshëm për shëndetin dhe i ndaluar për t’u përdorur. Në këto kushte ngarkesa e mandarinave është kthyer mbrapa në vendin e origjinës ku rezulton se është tërhequr nga shtetasi Arben Dyli dhe më pas dyshohet se është hedhur përsëri në treg duke mos e asgjësuar sipas procedures përkatëse.
Gjithashtu dyshohet se shtetasi Elson Tahiraj me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe mbrojtjes së bimeve ka shpërdoruar detyrën duke lëshuar certifikata fitosanitare fiktive për subjekte të ndryshme ndër të cilat dhe subjekti i shtetasit Arben Dyli.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së parë të Juridiksionit të përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme hetimore.