Familjarët e viktimës Mimoza Veizaj, e cila vdiq disa ditë pasi solli në jetë foshnjën e saj, akuzojnë mjekët për neglizhencë.
Burime për Panorama TV, raportojnë se madje vëllai i 30-vjeçares ka thyer xhamin e maternitetit.
Mësohet se e ndjera ka sjellë në jetë foshnjën me lindje normale të shtunën dhe ka dalë nga materniteti Koço Gliozheni të hënën. Burime gjithashtu bëjnë të ditur, se paraprakisht dyshohet se shkaku i vdekjes së 30-vjeçares ka qenë tromboemboli pulmonare e shoqëruar me arrest kardiak.
Disa orë pasi 30-vjeçarja M.V ndërroi jetë në ambientet e spitalit “Koço Gliozheni” 4 ditë pasi solli në jetën foshnjen e saj, familjarët e nënës hedhin akuza te stafi mjekësor. Jashtë kamerave, halla e 30-vjeçares u shpreh se e reja kishte patur dhimbje të forta që i ka ndjerë pasi i ka dalë gjilpëra që ka bërë pas lindjes.
“Nuk ju është bërë shërbim. Ka shkuar në spital në 3 të natës dhe ka lindur në 3 pasdite. Nuk ka pasur asnjë shqetësim më përpara. Ka pasur dhimbje brinjësh dhe këmbësh. Faji është i doktorit, i ka bërë gjilpërë shumë. Ta fusnin në sallë te operimit nëse nuk kanë pasur mundësi me bërë lindje. Mjekët duan lekë. Kishte dhimbje këmbësh na tha se po më del efekti i gjilpërës. Dhe kishte dhimbje të forta, njërën këmbë nuk e ndiente”, tha ajo jashtë kamerave, sipas Panorama Tv.
Kjo është ngjarja e dytë brenda 24 orëve ku një grua humb jetën. Dje në Elbasan, Etleva çullhaj vdiq disa orë pasi abortoi foshnjen që kishte në bark, ndërsa ishte nënë edhe e dy fëmijëve të tjerë./