Dy ditë më parë, një ngjarje e rëndë ndodhi në Tiranë, teksa një 82-vjeçar i shpallur i humbur nga familjarët e tij, u gjet i vdekur në malin e Dajtit.
Viktima raporothet se është Agim Çeta, i cili kishte katër ditë që kishte dalë nga shtëpia për të pirë kafe dhe nuk ishte kthyer më. Ish-trajneri i futbollit Agim Çeta vuante nga skleroza dhe largimi nga shtëpia pa një shoqërues rezultoi fatal për të.
Kur ai u gjet nga polciia, kishte disa orë që kishte ndërruar jetë, teksa nga kqyrja nuk u konstatuan shenja dhune, veçse njëra këmbë ishte gërvishur dhe pizhamet që mbante ishin grisur.
Për këtë arsye, dyshohet se i moshuari ka ndërruar jetë pasi ka rrëshkitur gjatë kohës që ecte në një terren të vështirë dhe lodhës. Familjarët janë shprehur se edhe pse shumë njerëz e kanë parë në rrugë me pizhama, nuk e kanë ndihmuar për shkak se mendnonin se ishte i çmendur.
“Nuk e ndihmuan askush se menduan se ishte i çmendur. I ka shkuar tek dera e kanë parë por kanë larguar dhe i kanë mbyllur derën. Kjo është për të ardhur keq. Babai im nuk ishte i çmendur, ishte i sëmurë. Po unë nuk do bëhem plakë. Këta njerëz duhet ti mbrojmë. Kush i gjen le të telefonojë në polici, sepse ndihmon familjen” u shpreh për mediat e bija teksa ishte me lot në sy.
“Më datë 03.10.2023, pas Njësisë Administrative Dajt, është gjetur pa shenja jete dhe pa shenja dhune, shtetasi A. Ç., 83 vjeç. Ky shtetas është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 4, pas kallëzimit të bërë nga familjarët për largim nga banesa. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njoftonte policia për ngjarjen.