Është identifikuar drejtuesi i mjetit në aksidentin e rëndë në aksin Këlcyrë-Përmet, ku humbën jetën 8 persona. Ai është shtetasi Edison Bregaj, 24-vjeç.
Ndërkohë që ende nuk ka asnjë informacion për identitetin 7 emigrantëve të paligjshëm që ndërruan jetë në makinë me të.
Makina me 8 persona përfundoi 200 metra në rrëpirë, poshtë rrugës nacionale, që lidh Këlcyrën me Përmentin në afërsi të fshatit Kuqar.
Dyshohet se shkak për aksidentin ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara, e cila bëri që makina të dilte nga rruga dhe të përfundonte në breg të lumit Vjosa.
Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, bëri me dije se në orët e para të mëngjesit, automjetit në fjalë i është bërë shenjë të ndalojë nga patrulla e policisë. Drejtuesi i mjetit ka refuzuar thirrjen e efektivëve dhe ka ndëruar drejtim, duke ikur sërish në drejtim të Përmetit. Duke u larguar në nxitim e sipër ai ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga. Pas dy orësh kërkime policia mundi të gjende në lumë automjetin që nuk iu bind urdhit për të ndaluar.
Emigrantët e jashtëligjshëm dyshohet se kanë hyrë përmes kufirit të gjerbër nga Greqia dhe kanë mbërritur në zonënë e Çarçovës, ku më pas përmes Edison Bregajt do të transportoheshin drejt Malit të Zi.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
“Në vijim të informacionit paraparak të dhënë për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Këlcyrë-Përmet”, në afërsi të fshatit Kuqar, si pasojë e të cilit humbën jetën 8 shtetas (drejtuesi i automjetit dhe 7 shtetas që dyshohet se janë nga Vendet e Treta), ju informojmë se nga verifikimet e kryera dyshohet se drejtuesi i këtij automjeti është shtetasi E. B., 24 vjeç, banues në Shkodër.
Gjithashtu, nga verifikimet e kryera rezulton se automjeti tip “Benz” që drejtonte shtetasi E. B. është marrë me qira në qytetin e Shkodrës, nga shtetasi A. Gj., 26 vjeç.
Policia e Shkodrës ka shoqëruar në Komisariat, shtetasin A. Gj., për ta marrë në pyetje për rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.