Bajrami ishte një burrë fisnik i moshuar (tironc autokton) 86 vjeçar që kishte përfunduar në azilin e pleqve.
Një mëngjes dhjetori ai trokiti në zyrën time të avokatisë për tu konsultuar për hallin e madh që i kishte rënë në vitet e fundit të jetës.
Ai ishte baba i katër fëmijëve, të cilët ishin martuar dhe kishte 9 nipa e mbesa.
Ai kishte qënë pronar i një nga vilat më të bukura dhe të vjetra në qendër të Tiranës.
Me inistimin e fëmijëve vila ishte prishur dhe ishte dhënë me përqindje një ndërtuesi për një pallat 8 kate. Pas përfundimit, 4 fëmijët e tij morën si përqindje dyqanet dhe i dhanë ato me qera, ndërsa babi i tyre përfundoj në azil pleqsh.
Bajrami kishte humbur pronat, kishte humbur fëmijët, kishte humbur nipat dhe mbesat, madje jetonte në shtëpinë e të moshuarve.
Sigurisht që fëmijët e Bajramit përveç babait nuk flisnin as me njëri-tjetrin. Tre prej tyre ishin divorcuar dhe dyqanet ishin objekt i ndarjes pasurisë në gjykatë me ish-gratë e tyre.
Me keqardhje sot nuk di nëse jeton Bajrami apo jo, por mu kujtua historia e tij kur lexova historinë e ndryshme të Tinka Kurtit por që të përbashkët kishin vetëm azilin e pleqve.
U ndjeva keq jo nga fundi dramatik i Tinka Kurtit por nga komentet cinike të atyre që duan ta keqpërdorin politikisht azilin e artistes së madhe.
Çuditërisht “lotët” vinin nga ata që kanë vjell vrerë për Tinka Kurtin duke e quajtur komuniste apo produkt të realizmit socialist.
Ne jemi rritur në fëmijëri me zërin dhe sytë e saj.
Për të gjithë brezin tonë ajo ishte si njeriu i familjes që shfaqej çdo të dielë në ekranin bardhezi.
Fatkeqësisht një pjesë e madhe e shqiptarve ende nuk e kuptojnë që jetojmë në shekullin e vetmisë.
Në Gjermani 1 milion njerëz apo 20% e të moshuarve të thyer jetojnë në azil pleqsh si një alternativë më e mirë se 4 muret bosh të shtëpisë.
Jeta e gjatë është një dhuratë por edhe “ndëshkim” nga Zoti.
Jeta e gjatë shpesh i përball njerzit me tre sfida:
– vdekjen e fëmijve
– vetminë
– varfërinë
Shkodrania fisnike dhe zemërmadhe Tinka Kurti humbi djalin e saj 7 vjet më parë.
Ndryshe nga klienti im Bajrami që u braktis dhe u grabit nga fëmijët, Tinkën e ndau vdekja nga djali dhe mbeti e vetme.
Artistja Tinka Kurti është një ikonë e kinemasë dhe artit.
Çdo kush në Shqipëri mund të ketë fatin e madh të jetëgjatësisë së Tinka Kurtit por duhet përgatitur për alternativën se si do e përballojë vetminë.
Vetmia do të jetë sëmundja e këtij shekulli sidomos për gjeneratat e reja të cilat sot nuk duan as të martohen dhe as të trashëgohen.
Le ti urojmë çdo kujt jetën sa të Tinka kurtit por jo vetminë e saj. Ndonse azili i pleqve sigurisht mbetet alternativa më e mirë se shtëpia e boshatisur apo e braktisur.
Ndërkohë habitem pse në Shqipëri ende s’ka një parti që të premtoj si çdo shtet europian ndërtimin e qindra azileve për të moshuarit të cilët nuk duan të mbyllin sytë në vetmi por me shoqëri……?/Nga Kreshnik Spahiu