Një vilë 3-katëshe është përfshirë nga flakët në lagjen “30 Vjetori” në Berat. Bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur pak minuta pas mesnate dhe banesa është në pronësi të shtetasit Dritan Qato. Ky i fundit jeton prej shumë vitesh në Itali, së bashku me familjen.
Nga informacionet paraprake njoftohet se në vilë jeton i vetëm babai i tij, Shahin Qato, 78 vjeç.
Pas njoftimit të marrë për zjarrin, në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të Repartit Zjarrfikës Berat dhe forca policie. Zjarri është mundur të lokalizohet në një kohë të shkurtër, ndërkohë që është nxjerrë pa lëndime nga banesa i moshuari.
Si pasojë e zjarrit fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, ndërkohë që dëme ka pësuar nga zjarri vetëm kati i tretë i vilës.
Shefi i Repartit të Shërbimit Zjarrfikës Berat, Artan Merko konfirmon se kemi të bëjmë me një zjarrëvënie të qëllimshme, pasi vila ishte e lyer nga të gjitha anët me benzinë.
Merko ka deklaruar se në ndihmë kanë mbërritur më shumë forca zjarrfikëse dhe u bë e mundur vënia nën kontroll dhe fikja e plotë e vatrës së zjarrit.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe efektivë të shumtë policie, që do të kryejnë këqyrjen e vendngjarjes, për të bërë të mundur zbardhjen e saj si dhe identifikimin e autorit (autorëve).
Ende nuk dihen shkaqet se përse banesa u lye me benzinë dhe më pas ju vu flaka, ndërkohë që burimet policore konfirmojnë se po kontrollohen edhe kamerat e mundshme të shtëpive e bizneseve përreth vilës.