Viti 2023 do të mund të jetë më i nxehti në histori, sipas Shërbimit të Bashkimit Evropian për Ndryshime Klimatike, Copernicus.
Sipas të dhënave, muaji shtatori ka qenë më i nxehtë se kurrë më parë në gjithë botë, pas një vere me rekord temperaturash të larta.
Temperaturat në shtator, këtë vit, kanë qenë gjysmë grade më të larta sesa në shtatorët më të nxehtë në të kaluarën dhe pothuajse një gradë më të larta sesa shtatorët në periudhat 1991- 2020.
“Temperaturat e pashembullta në këtë shtator – që e pason një verë me temperatura rekorde, i kanë thyer të gjitha rekordet në shkallë të jashtëzakonshme”, ka thënë Samantha Burgess, zëvendësdrejtore e agjencisë së BE-së.
Temperaturat në vitin 2023 janë 1.4 gradë Celsius përtej temperaturave të epokës industriale, ka thënë Burges.
Nga ana tjetër, akulli në Antarktik ka arritur në nivele historike të ulëta në shtator, duke mbuluar 9 për qind më pak territor sesa në periudhën 1991 – 2020.
Gjetjet janë bazuar në analiza që përfshijnë miliarda të dhëna nga satelitët, anijet, aeroplanët dhe stacionet meteorologjike në gjithë botën.