Ish-zyrtarja, Alda Klosi është dënuar me dy vite e gjashtë muaj burg nga Gjykata e Tiranës, pasi në banesën e pastrueses së saj u gjet një shumë parash prej 500 mijë eurosh, të cilat nuk i justifikonte me burime të ligjshme.
Gjykata po ashtu dënoi me 7 vite burg, pastruesen Rozeta Dobi dhe me 5 vite djalin e saj, Havier Dobi.
Të tre të dënuar do të përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar, duke bërë që dënimi t’i ulet me 1/3.
Si rezultat ish-zyrtarja do të kryeje 20 muaj burg, pastruesja 4.8 vite burg, ndërsa djali i saj 3 vite burg.
Gjatë rrëfimit të saj para togave të zeza, Dobi ka mohuar që të ketë vjedhur shumën e parave të thëna sot nga prokuroria. Ajo tha se ato para ia kishte dhënë Alda Klosi, që t’i fshihte në banesën e saj dhe do ia kthente në një moment të dytë.
“Se pari shpreh pendesën time për çdo gjë që ka ndodhur. Kërkoj mëshirën tuaj ne dhënien e vendimit, ate shume parash Alda Klosi me ka kërkua qe ti mbaj dhe ne nje moment te dyte do te ja ktheja tek shtëpia e saj, unë nuk kam vjedhur, me vjen keq e kam mbajt familjen me pune te ndershme. S’kam dashur t’i bej asgjë keq. Une skam lidhje fare me unazën e Ervin Karamuços. Varësja ka qene e ish-bashkëshortes se bashkëshortit tim të ndjerë. Më ka kërkuar që t’i mbaja. Kete inskenim ajo e ka bere qe te fajësojë ish-bashkëshortin e saj”, tha ajo.
Mbrojta e Rozeta Dobit kërkoi në sallën e gjyqit që klientes së saj t’i ktheheshin 25 mijë euro, dhe 1 milion lekë të vjetra. Prokuroria thekson se gjatë analizës financiare nuk rezulton që Dobi t’i këtë krijuar me burime të ligjshme.
Çfarë njoftoi Prokuroria më parë:
Sipas Prokurorisë, është e vertetuar se në datë 15 tetor 2022 është vërtetuar vjedhja e një shumë prej 462 mije euro, 300 mijë lekë të reja dhe 15 mijë dollarë.
Organi hetues deklaroi se shuma që u grabit në banesën e saj nga pastruesja Alda Klosi, nuk rezulton të provohet me burime të ligjshme.
Gjithashtu deklaroi se paralelisht me hetimin penal për paratë që iu grabitën në banesë, po hetohet edhe pasuria e Alda Klosit.
“Kemi kryer edhe analizën financiare për Alda Klosin, rezulton se shume e parave e vjedhura në banesë nuk rezulton të provohet me burime të ligjshme. Klosi ka bashkëpunuar me prokurorinë dhe është zbuluar një apartament dhe një garazh në pronësi të ish-bashkëshortit të Alda Klosit. Paralelisht me hetimin penal është duke u zhvilluar dhe hetimi pasurore i Alda Klosit”, tha Prokuroria.
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar që dy automjetet luksoze tip AMG që iu sekuestruan djalit të pastrueses, 24-vjeçarit Havier Dobi t’i kalojnë shtetit pasi janë blerë me paratë e vjedhura.
Është kërkuar gjithashtu heqja e sekuestros për llogaritë bankare të Rozeta Dobit dhe bizhuteritë e vjedhura t’u kthehen personave që u janë marrë.
Ndërsa avokati i pastrueses Rozeta Dobi, e cila mori një shumë prej rreth 500 mijë euro në banesën e ish-zyrtares së shtetit dhe i fshehu në tubat e aspirimit, kërkoi që ajo të lirohet nga qelia.