Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka reaguar sërish mbi vrasjen e Liridona Ademit nga bashkëshorti i saj Naim Murseli në Prishtinë.
Në një postim në “facebook”, Pacolli është ndalur më gjatë te njohja e tij me Naim Murselin bashkëshortin e Liridonës, që dyshohet të ketë urdhëruar vrasjen.
Bëjmë me dije se Naim Murseli ka qenë këshilltar i Pacollit gjatë kohës kur ky i fundit ishte ministër i Punëve të Jashtme. Pacolli ka përmendur miqësinë e ngushtë të tij me Liridonën dhe Naimin, duke thënë se nuk ka qenë në dijeni për ndonjë precedent konflikti për ta.
“Edhe një herë, shpreh ngushëllimet e mia për familjen dhe miqtë e Liridonës me këtë ngjarje të trishtueshme.
Naim Murselin e njoh prej vitesh, duke filluar nga momenti kur ai m’u ofrua si adoleshent, pas një sëmundje qe kishte perjetuar. Ai ka qenë pjesë e entourazhit tim që nga atëherë. Ndër vite, ka shfaqur interes për iniciativat e mia në median sociale dhe kam pasur mundësinë të ndihmoj në disa iniciativa biznesi që ai kishte nisur që nga viti 2019.
Gjatë mandatit tim si MiPJ, kam pritur figura politike (deputetë e kryetarë komunash nga Suedija), ku ai ka qenë pjesë e përcjelljes së tyre. Kështu lindi ideja, me kërkesën e tij, për ta nominuar si bashkëpuntor (këshilltar) të jashtëm (pro bono) gjatë mandatit tim në qeveri.
Përveç kësaj, kam ruajtur një marrëdhënie të mirë me familjen e tij. Madje, une dhe shoqja ime ishim kumbarë të djalit të tyre. Liridona kishte miqësi me familjen time.
Tragjedia e fundit më ka prekur thellë, dhe bashkëndjejmë në dhimbjen e familjes së Liridonës dhe fëmijëve.
Nuk kam pasuar dijeni për ndonjë precedent konflikti për Naimin. Jam i prirur të besoj vetëm në anën pozitive të njerëzve dhe nuk do të mendoja kurrë se ai do të përfundonte në një akt kaq tmerrues.
Kam mbajtur heshtje këto ditë si shenjë respekti për vuajtjet e familjes së Liridonës. Gjithashtu, dua të përsëris se çdo individ është përgjegjës për veprimet e veta, dhe drejtësia duhet t’u tregojë secilit vendin e merituar. “-shkruan Behgjet Pacolli në reagimin e tij