Klaudio Myrtaj është 34-vjeçari shqiptar që u ekzekutua pasditen e djeshme në Vernante, Itali.
Mediat italiane raportojnë se i riu shqiptar që u gjet në gjendje të rëndë, u transportua menjëherë në spitalin e Cuneos ku ndërroi jetë pak orë më pas.
Vrasja e shqiptarit që ishte banues në zonën e Caraglio thuhet se ka lidhje me një motiv xhelozie. Kamerat në vendin e ngjarjes kanë fiksuar autorin e krimit.
I mbërritur në Itali rreth dy vjet më parë, Klaudio Myrtaj ishte punëtor në kantieret e rrugëve, duke bashkëpunuar herë pas here edhe me një zejtar vendas. Karabinierët po kryejnë hetimet pasi burri u gjet i shtrirë në tokë në një punishte zdrukthtari në via Umberto I pranë bashkisë së qytetit në luginën Vermenagna. Sipas hetimeve fillestare, tridhjetë e katër vjeçari është goditur me armë zjarri në kokë.
Drejtuesi i punishtes deklaroi se pasditen e djeshme ka shkuar për të marrë benzinë me traktorin e tij dhe kur është kthyer në oborr ka qenë një klient që ka gjetur shqiptarin duke vdekur dhe ka ngritur alarmin.
Policia po merr në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve disa persona, mes të cilëve edhe e dashura e tridhjetë e katër vjeçarit dhe drejtuesja e punishtes së zdrukthtarisë. Askush nuk i ka dëgjuar të shtënat dhe për këtë arsye hipoteza është se vrasësi ka përdorur silenciator dhe ka pritur të dilte mjeshtri për të shkuar në karburant dhe për këtë arsye të vepronte i pashqetësuar.
Në këto rrethana dyshohet se vrasja ka qenë me paramendim.
Në fshatin ku Klaudio ishte shpërngulur disa muaj më parë dhe jetonte në një shtëpi jo shumë larg vendit të krimit, ai mbahet mend si një punëtor i palodhur, gjithmonë i buzëqeshur dhe që i përshëndeste të gjithë ata që e takonin.