Nexhmie Lika, 22 vjeç me origjinë nga Burreli rezulton e zhdukur prej datës 19 prill.
Për herë të fundit, vajza është parë në aeroportin e Rinasit, pasi është kthyer nga Italia.
Kanë qenë familjarët e 22-vjeçares të cilët kanë ngritur alamrin në polici.
Gjithashtu ata kanë bërë me dije se 22-vjeçarja gjatë kohëve të fundit ka shfaqur probleme të shëndetit mendor.
“Vajza ka hyrë në Republiken e Shqipërisë më datë 19.04.2023 ora 20:09 në PKK Rinas dhe ka humbur kontaktet me familjarët pasi është me probleme të shëndetit mendor.”
Kushdo që mund ta gjejë ta shoqërojë në komisariatin më të afërt.
Burime bëjnë me dije se vajza prej 2 vitesh ishte në kontakt dhe fliste me një djalë që jetonte në shtetin italian.
Pasi ka njoftuar familjen për lidhjen e saj, janë dakordësuar që vajza të udhëtonte drejt Italisë dhe do të fillonte bashkëjetesën me të dashurin e saj.
Sipas dëshmisë së babait, në 31 mars 2023 vajza përmes Rinasit niset drejt shtetit italian. Familja e djalit nga Durrësi duket ka shprehur mos pëlqim për vajzën. Për këtë arsye ata i kanë prerë një biletë kthimi vajzës për në Shqipëri.
Sipas burimeve, në datën 19 prill 22-vjeçarja ka zbritur në aeroportin e Rinasit dhe më pas ka humbur kontaktet me familjen e saj, të cilët të alarmuar kanë bërë kallëzim në polici.