Policia vijon kërkimet për të gjetur 3 vjeçarin nga Durrësi i zhdukur që prej të shtunës së 13 prillit 2024. Kërkimet janë zhvendosur edhe në veri konkretisht në fshatin Gjinaj të Hasit ku banojnë stërgjyshërit.
Në një intervistë nga Hasi, Rexhep e Shyqyrie Selaj, babai dhe nëna e Bahrije Gjunit, gjyshes që akuzohet se ka larguar nipin 3 vjeç nga e ëma dhe që është në kërkim nga policia e quajnë veprim të papjekur dhe i kërkojnë ta dorëzojë fëmijën.
Ata tregojnë se Bahrija kishte shkuar në banesën e tyre në Has pikërisht më 13 prill. Atë natë kishin fjetur aty. Të nesërmen kur Shyqyrie ishte kthyer nga kullotja e bagëtive nuk e kishte gjetur në banesë. Bahrija ishte larguar me fëmijën.
“Është veprim i papjekur, nuk e kemi traditë këtë punë. Në besë është bërë tradhtia. Unë si babë i bëj thirrje vajzës, Bahrijes ta dorëzojë fëmijën. Duhet ta kthejë fëmijën aty ku e ka marrë”, – thotë për Report TV babai i Bahrije Gjunit, gjyshes së ka rrëmbyer nipin.
“Vajza ka ardhur këtu ditën e shtunë bashkë me nipin. Bahrija nuk më tha se si është puna. Ndejtëm sa ndejtëm dhe ramë me fjet dhe kur u erdha nga kullotja e bagëtive, Bahrijen këtu nuk e gjeta. Se kush ka ardhur e ka marrë nuk e di. Kur kam ardhur në shtëpi nuk e gjeta. Ne këtu si familje s’kemi dorë. Djali që është në kërkim, Flamuri jeton në Belgjikë, rastisi këtu se erdhi të shohë të atin. Arbeni që është arrestu jeton këtu me ne, ka tre fëmijë” – tregon Shyqyrie Selaj, nëna e Bahrie Gjunit.
Policia nuk ka asnjë të re nga kërkimet, ndërsa njofton se është arrestua Rexhep Gjuni, gjyshi i të miturit. Në pranga po ashtu ka rënë edhe Arben Selaj, vëllai i gjyshes së 3-vjeçarit. Nëna e të miturit, Ile Gjuni ka bërë denoncim në polici të shtunën e 13 prillit në orën 20:00. Ajo u ka rrëfyer uniformave blu se djalin e kanë marrë gjyshërit nga i ati dhe refuzojnë t’ia kthejnë.
Dramën e rëndë familjare e ka rrëfyer 23-vjecarja Ile Gjuni, e cila deklaroi se problemet me ish-vjehrritë kanë lindur pasi i vdiq bashkëshorti në aksident. Ajo ka shkuar të jetojë tek prindërit e saj po në zonën e ish-kënetës, ndërsa ish-vjehrrit vazhdimisht kërkonin kujdestarinë e 3-vjeçarit, gjë që nuk iu takon me ligj. Për të ulur tensionet ajo e çonte djalin tek gjyshërit gjatë fundjavave, por të shtunën e 13 prillit ata kanë refuzuar ta kthejnë fëmijën e mitur, me pretendimin se do ta rrisin vetë.