Zjarri që shkrumboi tregun me rroba të përdorura mbrëmjen e djeshme në Shkodër, përveçse dogji 5 banesa, shkrumboi edhe 25 njësi tregtare.
Forcat zjarrfikëse po vijojnë edhe gjatë ditës së sotme, punën për shuarjen e plotë të flakëve. Zjarri masiv është shuar, por ka ende vatra të vogla aktive, jo të rrezikshme. Tregu ishte mbyllur në momentin e ngjarjes dhe askush nuk u lëndua por rrobat e përdorura ndihmuan flakët të përhapeshin me shpejtësi.
Tregtarët kërkojnë ndihmë nga shteti pasi thonë se kanë humbur mall në vlerën e miliona lekëve.
“Tregtoj prej 20 e ca vitesh. Kemi pasur miliona lekë mall. Shkaqet e zjarrit nuk i dimë,. Ne ishim në shtëpi. Ç’më duhet shkaku kur më është shkrumbuar gjithçka. Shteti duhet të bëjë tregun e të na thotë e keni këtu. Ku ishte shteti kur u detyruam në të hynim aty?”, tha një tregtare.
“Kemi shtëpi kemi familje dhe ata duam bukë. Shteti i do dritat e ujin”, thotë një tjetër
“Kam qenë tregtare prej 22 vitesh, e kemi pasur këtu bukën e gojës, çfarë të bëjmë ( preket). Shansi jonë që nuk kemi qenë duke punuar dhe na ka shpëtuar Zoti në këtë ditë sepse është mall industrial, ka patur gjithçka aty. Këpucë, rroba të ndryshme, na është djegur shumë mall, kishim marrë dhe mall për dimër që ta kishim në shtator. Jemi nja 70-80 tregtarë. Kemi paguar qira çdo muaj, ka qenë treg i licencuar. Ky ka qenë rasti i parë i zjarrit”, tha një tregtare.
Ende nuk dihet shkaku i rënies së zjarrit që mori përmasa të frikshme, ndërsa u angazhuan të gjitha strukturat. Në terren shkuan 21 mjete zjarrfikëse të repartit të Shkodrës, ku erdhën në ndihmë edhe forca nga Malësia e Madhe, Lezha, Ulqini dhe Tivari.
Në vendngjarje ndërhynë edhe 110 efektivë të forcave zjarrfikëse, 30 efektivë të Policisë Shkodër, 20 efektivë të repartit të FNSH, 3 autoambulanca me personel nga Spitali i Shkodrës, 110 punonjës të Bashkisë Shkodër si dhe 30 efektivë të Repartit Ushtarak Vau Dejës.
1 helikopter i ushtrisë ishte në vendngjarje për të shuar vatrën e zjarrit.