Kapllan Nasufi, 60 vjeç, pjesëtar i komunitetit rom dhe egjiptian, ka humbur jetën tragjikisht mbrëmjen e së martës, në qytetin e Shkodrës.
Ai ishte në gjumë së bashku me bashkëshorten e tij, kur një zjarr i madh përfshiu të gjithë shtëpinë duke i marrë jeten atij dhe duke lënë të plagosur rëndë gruan e tij.
Dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë soba me dru e lënë ndezur.
Banorët e lagjes, tregojnë se ambulanca erdhi me vonesë dhe se familja jetonte në kushte shume të vështira ekonomike.
“Këtu ndodhi zjarri. Kanë ardhur njerëzit për pune, e ka pa flakën. Gruaja ka dalë e djegur e kanë çuar në spital. Kapllani ka vdekur brenda. Se dimë si ka ardhur flaka, jemi zgjuar prej gjumi. Kushtet i kanë pas të këqija boll. Ambulanca ka ardhur me vonesë, policia ka ardhur më shpejt. S’na vjen ambulanca kurrë. Zjarrfikëset kanë ardhur me gjithë policinë”- tregon fqinja.
“E dëgjova zhurmën, kur dola jashtë pashë flakën e madhe. Katastrofë, nusja ishte djeg komplet, prit ambulancën. Ka ardhur vonë. Vetëm policia ka ardhur shpejt, ambulanca e zjarrfikësja ka ardhur me vonesë. Ajo është shumë keq. Është djeg krejt”,- tregon një tjetër fqinje.
Për shkak të plagëve të rënda, Naslie Nasufi, 59 vjeçe është dërguar në QSUT në Tiranë për ndihmë më të specializuar.