Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të zbuluar sot në Durrës, ku një 50-vjeçar dyshohet se është vrarë nga vajza e tij.
Viktima mësohet se është Pëllumb Meta, i cili u gjet i groposur në oborrin e shtëpisë së tij, në fshatin Shënvlash. Vajza e tij 19-vjeçare Hygerta Meta dyshoeht se e ka qëlluar brenda shtëpisë me armë zjarri, e më pas e ka mbështjellë me qese plastike dhe e ka groposur. Sipas dëshmisë së të resë, ajo e ka vrarë të atin për shkak se ai donte ta fejonte pa dëshirën e saj.
Policia kishte 10 ditë që kërkonte 50-vjeçarin, të cilin familaj e kishte denoncuar të zhdukur pasi prej 13 shkurtit kishin humbur kontaktet me të. Për të humbur gjurmët, vajza u kishte thënë familjarëve se babai ishte nisur për në Durrës ditën e krimit dhe se nuk ishte kthyer më.
Njoftimi i policisë:
Durrës/ Familjarët e kallëzuan të humbur 50-vjeçarin, Policia, pas 10 ditësh kërkime dhe hetime intensive, zbardh ngjarjen.
Falë veprimeve të shpejta profesionale, Policia gjen trupin e pajetë të 50-vjeçarit, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri dhe është varrosur brenda rrethimit të banesës, nga vajza e tij.
Policia ka arrestuar 19-vjeçaren, e dyshuar si autore e vrasjes së babait të saj.
Më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, shtetasi H. M., 25 vjeç, banues në fshatin Shënavlash Durrës, ka kallëzuar në Polici se ishte larguar nga banesa, babai i tij, shtetasi P. M., 50 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, dhe se kishin humbur kontaktet me të.
Pas këtij kallëzimi, shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet dhe më datë 17.02.2024, bënë të mundur gjetjen e automjetit të shtetasit P. M., të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.
Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, vijoi hetimet dhe kërkimet, pasi dyshohej se 50-vjeçari ishte zhdukur.
Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë e mundur zbardhja e zhdukjes së shtetasit P. M. Nga provat e siguruara dyshohet se ky shtetas nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se autore e vrasjes së 50-vjeçarit është vajza e tij, shtetasja H. M., 19 vjeçe, e cila është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Shtetasja H. M. ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur.