Bosi i mafies “Gargano”, Marco Raduanos, është arratisur nga burgu në Nouro në Sardenja të Italisë.
Sipas mediave italiane, arratisja e tij është filmuar nga kamerat e sigurisë së burgut në Nuoro. Në pamjet shohim 40-vjeçarin nga Vieste, duke zbritur nga muri falë disa çarçafëve të lidhur me nyje dhe më pas duke vrapuar për t’u zhdukur me nxitim në rrugët e fshatit fqinj.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 19:00 të ditës së djeshme në burgun e Sardenjës “Badu e Carros”.
Kjo konsiderohet një ngjarje e bujshme pasi ai u arratis nga një burg i sigurisë maksimale nga i cili në 40 vite askush nuk kishte arritur të arratisej, përfshirë kriminelë të kalibrit të Renato Vallanzasca apo Raffaele Cutolo.
Nga ana tjetër, Marco Raduano ka arritur të humbasë gjurmët, duke shkaktuar polemika të forta nga ana e sindikatave të policisë së burgjeve. Ditët e fundit, Raduano-s i ishte njoftuar dënimi përfundimtar me disa vite burg, pasi Gjykata e Kasacionit kishte shpallur të papranueshme ankesat e tij dhe anëtarëve të tjerë të klanit mafioz.
Ai akuzohet për disa krime, të gjitha me rrethana rënduese dhe të cilësuara si krime mafioze. Raduano ka qenë në krye të klanit kundërshtar me atë të Perna-Iannoli.
Raduano u dënua kohët e fundit si një figurë kryesore e grupit kriminal që vepron në qytetin e Vieste, në Gargano, si pjesë e operacionit ‘Bora e Marsit’. Hetimi shkatërroi një shoqatë kriminale që vepronte me qëllim trafikun e drogës, përdorimin e armëve, si dhe vrasje.
Ai ishte i dënuar me 19 vite burg për trafikim droge që vinte nga Shqipëria në Puglia. Bosi mafioz pugliez kishte nën kontroll territorin e Veste-s, ku janë kryer dhjetra vrasje mafioze.
Menjëherë pas arratisjes së tij filloi gjuetia në Sardenjë, u ngritën pika kontrolli në porte dhe aeroporte.