– Vendimi i Gjykatës që e ndau nga djali ka bërë që një 40-vjeçare të tentojë të vetëflijohet këtë mbrëmje në Pogradec. Në një njoftim zyrtar, Policia e Pogradecit bëri me dije se 40-vjeçarja me inicialet S.K., ishte hedhur në liqenin e Pogradecit dhe kishte tentuar të mbytej, por ishte shpëtuar nga banorët e zonës që e kanë nxjerrë nga ujërat e Ohrit.
Sipas Syri TV, 40-vjeçarja ndodhet në spitalin e Korçës jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se gruaja në fjalë është divorcuar me bashkëshortin me të cilin kishte edhe një fëmijë. Por fëmijën, Gjykata vendosi t’ia linte bashkëshortit të 40-vjeçares, i cili ka edhe dy fëmijë nga martesa e parë.
Kjo gjë, ka shkaktuar një tronditje të thellë psikologjike tek 40-vjeçarja, e cila ka vendosur të vetëflijohet. 40-vjeçarja me inicialet S.K. punon në sektorin e pastrimit pranë bashkisë së Pogradecit. Grupi i hetimit ka marrë në pyetje ish-bashkëshortin e saj për të sqaruar më shumë rrethanat e kësaj ngjarje.
Njoftimi i policisë:
Pogradec/Informacion paraprak
Më datë 05.03.2023, rreth orës 17:45, në lagjen nr.3, nga ura buzë liqenit të Pogradecit, është hedhur në ujë shtetasja S. K., rreth 40 vjeçe, banuese në Pogradec, e cila falë ndërhyrjes së disa banorëve dhe shërbimeve të Policisë, u nxorr nga uji dhe u dërgua për ndihmë mjekësore në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.