Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot rritjen e pagës me 500 mijë lekë të vjetra në muaj për mjekët specialistë. Nga muaji i ardhshëm, muaji prill, mjekët specialistë do përfitojnë 500 mijë lekë plus mbi rrogën që kanë aktualisht.
Nga Kongresi i parë i Shëndetësisë në Tiranë, Edi Rama ka deklaruar se rritje do të ketë dhe për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët. Përveç 7% që është premtuar, nga fillimi i vitit të ri 2024, këto dy kategori do të kenë një rritje proporcionale rroge me atë të mjekëve specialistë.
“Ne i kemi rritur nga 2013, me 63%, por jemi të vetëdijshëm që kjo nuk mjafton. Unë sot dua t’ju them se në prill, në këtë prill, jo në prillin e vitit dhe jo në 1 prill, por në 30 prill, mjekët specialistë do fillojnë të marrin 50 mijë lekë të reja plus në pagën e tyre.
E përsëris, janë të reja, dmth janë 500 dollarë në muaj plus, 6 mijë dollarë në vit, nëse aritmetika ime ëhstë e saktë. Janë nga muaji prill.
Do të mbajmë zotimin për rritjen 7% të pagës për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët. Shpresoj që mjekët specialistë të na kërkojnë dhe 7% mbi 50 mijë lekëshin. Edhe mjekëve të përgjithshëm dhe infermierëve ju them se ne po pregatisim rritje proporcionale me këtë të mjekëve specialistë.
Besoj shumë se në hyrje të 2024, do kemi edhe për mjekët e përgjithshëm edhe për infermierët një rritje të ngjashme. Nëse në prill ne me pagën e mjekëve specialistë ngjitemi lart në pagat e rajonit, dhe faktikisht barazohemi me Serbinë, të njëjtën gjë do bëjmë dhe me pagat e tjera, padiskutim brenda këtij mandati.
Por, kjo është lufta ime dhe e Ogertës me ministren e Financave, mundësisht duke filluar nga 2024″, u shpreh kryeministri Edi Rama.