Aksionet e bankave të mëdha europiane pësuan rënie mëngjesin e sotëm në tregje financiare, në mesin e shqetësimeve të investitorëve mbi shtrirjen e problemeve që kanë pllakosur këtë industri.
Deutsche Bank arriti të stabilizohej në minus 4% pas një rrëshqitjeje prej 10 përqindësh në orët e para të ditës, BNP Paribas ndaloi në 3% teksa më parë kishte rënë me më shumë se 8%.
Edhe vetë UBS- banka që pranoi të blinte rivalin e vetë në telashe, Credit Suisse- e çeli ditën me një humbje prej 8% të vlerës së aksioneve. Në Britaninë e Madhe, një goditje morën edhe aksionet e Standard Chartered, HSBC dhe Barclays.
UBS mbetet tashmë e vetmja bankë globale e Zvicrës. Autoritetet zvicerane u detyruan të ndërhynin për shpëtimin e Credit Suisse pasi gjigandi financiar është përballur me një sërë problemesh të profilit të lartë vitet e fundit, të cilat i shtynë investitorët ta humbnin besimin tek banka e njohur dhe të nisnin t`i zhvendosnin paratë e tyre prej saj.
Ministri francez i financave ishte ndër politikë bërësit e parë që e përshëndetjen blerjen e Credit Suisse si një marrëveshje të mirë, por tha se do të vazhdojë të mbetet ekstremisht vigjilent ndaj reagimit të tregjeve. Shqetësimi i tij, rezultoi mëse i përligjur. L e tregjeve dhe fakti që gjithmonë e më shumë banka duket se po i afrohen buzës së greminës, ka bërë që të hiqen paralele mes kësaj situate dhe krizës së madhe financiare globale të 2008-tës.
Megjithatë Lord Turner, i cili drejtoi asokohe organizmin financiar mbikëqyrës të Mbretërisë së Bashkuar, i tha The Times se nuk mendon që do të ketë një krizë bankare të atyre përmasave. Ai theksoi se bankat tani kanë shumë më tepër kapital sesa atëherë, dhe se në ndryshim nga 2008-ta, tani nuk jemi në fundin e një bumi të tregut të pronave të nxitur nga kreditë, i cili është gati të shembet.