Varvara Kapurani, një 77-vjecare nga Elbasani, tregon për emisionin Stop në Tv Klan se pas vdekjes së të shoqit dhe pas 55 viteve martesë, ka mbetur në mes të katër rrugëve. Ajo thotë, se kur qante të shoqin, njëra nga tre vajzat e saj, Drita, i merr letrat e shtëpisë, duke arritur t’i marrë pronën e ta nxjerrë jashtë.
“Kam problemin e shtëpisë se ma ka mbyllur goca ime. Ma vodhi shtëpinë edhe ma mbylli. Më vdiq plaku në 5 Korrik 2022 dhe goca ime Drita erdhi, unë qaja plakun, dhe kjo më thoshte mua o mami ku e ka babi tapinë. Unë i thoja çfarë e do tapinë të hëngërt mortja. Unë qaj babin ti do tapinë. Vajti ma prishi sirtarin, merr lekë, dokumentet e plakut, dokumentet e makinës, të gjitha çfarë kishte brenda. I fola me të mirë, bjeri gjërat që mos bëjmë sherr. Kam bërë denoncim në polici. Kur kishim 1 javë që kishim ikur, kjo futet brenda, heq kamerat e mia dhe vendos kamerat e veta”, thotë 77-vjeçarja Varvara Kapurani.
Gjithçka nisi, pasi një ditë çifti i të moshuarve u paraqit në zyrën e noteres Ilda Peza, për t’i dhënë adresën sikur e bija Drita banonte në shtëpinë e tyre, në mënyrë që vajza të merrte KEMP për të birin e sëmurë.
Pas vdekjes së të shoqit Tili Kapurani, Varvara shkoi tek e bija në Greqi, ku mësoi se kishte mbetur pa shtëpi, të cilën ia kishte zaptuar, vajza, Drita.
“Unë jam Sofia Kapurani, e bija e Varvarës dhe Tili Kapuranit. Para se të vdiste babi, kishin vajtur në muajin Mars te noterja Ilda Peza për të firmosur një letër sepse motra ime Drita Topuzi merr pension për djalin invalid këtu dhe duhet të deklaronte ku jetonte sepse ia prenë pensionin. Edhe babi për ta ndihmuar sepse ajo kishte probleme ekonomike, babi vajti ta ndihmonte për të bërë dritat në emër të saj që të duket sikur djali i saj jetonte këtu bashkë me Drita Topuzin. Në Shtator na zbuloi Policia e Elbasanit që Drita Topuzi është paraqitur me një akt dhurimi nga babai dhe nga mamaja”, tregon njëra nga 3 vajzat.
E moshuara e denoncoi në polici, ku mësoi se vajza kishte një akt dhurimi nga ajo vetë dhe bashkëshorti i ndjerë.
Por Varvara thotë se nuk di as të shkruajë e as të lexojë.
“Çfarë firmosa. S’dija shkollë unë, as shkollë as hiçgjë. As di të shkruaj as të lexoj. Emrin tim”, thotë 77-vjeçarja.
Në këto kushte, gjykata vendosi që të bllokohet shtëpia, por vajza zaptuese është futur brenda.
“Çështjen e kemi çuar në gjykatë. Gjykata e Elbasanit, kur bëjmë një kërkesë për të na hapur derën në 6-mujorin e babit, na thanë që shtëpia është e bllokuar nga të dyja anët, nuk futet asnjeri në shtëpi. Kurse në këto momente këtu në shtëpi ka njerëz. Nuk duhet të hynim as neve as pala tjetër që të mos ketë konflikt deri sa të bëhet gjyqi. Kurse në këto momente këtu ka njerëz. Madje në një akt dhurimi që është marrë në Kadastër dhe në një akt-dhurimi që më dha mua Ilda Peza, firmat edhe emrat nuk janë të njëjta. Unë kam bërë dhe ekspertiza kaligrafinë e këtij akti-dhurimi dhe nga eksperti më ka dalë që emri nuk është shkruar nga mamaja se mamaja nuk di të shkruajë dhe të lexojë dhe është shkruar nga Drita Topuzi”, tregon Sofia.
Shikoni videon këtu.