Disa përgjime të një gazetari të njohur në Shqipëri kanë trazuar ambientin mediatik dhe jo vetëm, ditën e sotme, teksa ka zbuluar skemat e gjobëvënieve ndaj bizneseve, politikanëve deri te mënyrat e shantazhit ndaj gjyqtarvëe dhe prokurorëve.
Bëhet fjalë për gazetarin e Report Tv, Adriatik Doçi, njëkohësisht botues i portalit “Prapaskena”, i cili është përgjuar duke biseduar me një kolege gazetare, teksa i tregon asaj se si shantazhon biznese duke i detyruar të paguajnë shuma të majme që varjojnë nga 1 mijë euro deri në 10 mijë euro.
“Unë bëj marrëveshje biznesi në formë reklamash, unë kam reklama deri në 2 mijë euro në muaj. Me një biznes kam reklama 1 mijë euro në muaj, 2 mijë euro, 1500, 300 varet, thjesht firmos dhe të kalojnë lekët. Pastaj varion, kam dëgjuar se me këta shkon 10, 20, 5, 8 mijë euro, varet nga personi. Me këta të drogës shkon 30-40”, dëgjohet teksa thotë Doçi.
Më pas ka treguar dhe raste për shtëpi me çmim reference duke thënë se vetë Doçi “ka disa shtëpi”. “Bën shtëpia 100 mijë euro unë do të jap 50. Vila 400-500 mijë euro do punë të mirë me e mbajt”, dëgjohet të thotë gazetari Adriatik Doçi në një prej përgjimeve.
Doçi madje thotë se media është një armë e fortë, që ka mësuar ta përdorë në favor, duke iu “përulur” drejtorë, pedagogë, dekanë, e deri te kryeministri. Ai thotë se këtë gjë e arrin “vetëm përmes pasjes së informacionit”.
Në rastin e bizneseve ai tregon se si përmes publikimeve në portalet e drejtuara prej tij, nxin imazhin e bizneseve të caktuara, deri sa pronarët detyrohen t’i paguajnë për të fshirë lajmet, apo edhe për të mos e ngacmuar më në të ardhmen. “Kam denoncuar këtë të kompanisë së punësimeve. Ia kam rrënuar imazhin unë këtij. Çfarë nuk ka bërë që ta heqë shkrimin”, thotë Adriatik Doçi në audiopërgjim.
Vetë Doçi ka reaguar pas publikimit të përgjimeve, duke akuzuar kolegun gazetar Naim Noka, i “Publik.Live”, i cili bëri publike audiopërgjimet. Doçi thotë në reagimin e tij se po diskutonte për fenomenin në përgjithësi.
“Miq, e ndiej detyrim moral dhe në respekt të fytyrës që kam, të bëj një sqarim për një audio-çimkë të publikuar sot.
Një kolege gazetare, duke pirë kafe, më pyet se si funksionon tregu i reklamave në media. Dhe unë i shpjegoj që kur me një biznes ke marrëveshje reklamimi, nuk mund të publikosh lajme kundër tij…Barra morale bie mbi kolegen që përgjon biseda në tavolinë me telefon. Megjithatë e mirëkuptoj kolegen dhe më vjen keq që po e përdorin. Kush më njeh e di që nuk shantazhohem. Të gjithë dashamirësit e mi të rrinë të qetë”, thotë Doçi në reagimin e tij.
Ai më tej akuzon gazetarin Noka, i cili ka publikuar përgjimet, dhe thotë se edhe ai i ka këruar heqjen e një lajmi.
“Publikuesi është një pseudodazetar i quajtur Naim Noka, të cilin dyshoj se kanë paguar. Nuk ka lidhje me gazetarinë. U kujtova se ky tipi më ka ndërhyrë disa herë për të hequr shkrime. Madje, një herë, më ka marrë në mesanatë si sekser”, shkruan Doçi, duke vijuar disa minuta më pas me publikimin e një shkrimi denigrues ndaj Nokës në portalin “Prapaskena”.
Vetë gazetari Noka ka reaguar duke paralajmëruar se do e padisë Doçin për këtë artikull ku i sulmon edhe anëtarët e familjes.