Është publikuar dëshmia e Aldi Mustafës, i cili i shpëtoi mrekullisht një atentati në mesditën e së hënës, pasi në mjetin ku ai udhëtonte, shpërtheu një lëndë e konsiderueshme eksplozivi. 37-vjeçari është shprehur se nuk ka konflikte dhe i është drejtuar efektivëve që ta gjejnë ata se kush e ka vendosur eksplozivin.
“Makinën e kam lënë të parkuar para shtëpisë gjithë natën. Nuk ka qenë makina në servis. Kur e mora makinën në drekë, shpërtheu. Nuk e sesi dhe kush e ka vënë lëndën plasëse. Media më ka ngatërruar keq me akuzat që më thonë. Është faji i gazetarëve që me veshin me ngjarje që nuk kam lidhje.
Nuk kam konflikte. Gjejeni ju si polici kush e ka vendosur eksplozivin”, deklaroi Aldi Mustafa. Në lidhje me këtë atentat me eksploziv janë shoqëruar 8 persona ndërsa janë marrë në pyetje edhe familjarët e Mustafës. Policia po heton ngjarjen në disa pista, teksa dyshohet se shpërthimi ishte paralajmërim ndaj tij.
Aldi Mustafa ka qenë i përfshirë në një plagosje në vitin 2001 dhe para një viti u arrestua me 3 armë zjarri, ngjarje për të cilat është gjykuar e dënuar.