Prej shumë vitesh e për shumë breza, ai është “baca i shqiptarëve”. Ikona e skenës dhe ekranit, Reshat Arbana, festoi muaj më parë 82-vjetorin. Si një nga aktorët me popullorë të kinemasë shqiptare, me 45 role në kinematografi dhe me dhjetëra të tjerë në teatër, Arbana me rolet e tij kanë pasuruar kulturën kombëtare. Ai lindi më 15 shtator 1940 në Tiranë, ndërsa roli i parë i tij, shënohet në vitin 1963.
Më 7 tetor 2011, presidenti i Republikës së Shqipërisë, i akordoi Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Aktorit të shquar të teatrit dhe kinematografisë, i cili me interpretimin mjeshtëror dhe origjinalitetin e tij u bë një artist popullor e shumë i dashur për publikun, rolet e të cilit kanë pasuruar me vlera të reja kulturën kombëtare”.
Aktori i njohur Reshat Arbana para një kohe ka qenë në një emision televiziv ka folur për jetën, familjen dhe karrierën, si dhe ka bërë një rrëfim të trishtë në lidhje me raportin e tij me të birin.
“Është sigurisht shumë e vështirë të jesh baba, po mos t’i hyjmë kësaj teme. Unë e kam pasur shumë të vështirë për disa gjëra që më kanë ndodhur me tim bir. Fëmija është dhimbja më e madhe për prindin. Nuk ka dhimbje më të madhe, nuk të zë sytë asgjë prej gjëje, as pasuria, as vlera. në fund të fundit do ikim një ditë e do mendojmë çdo lëmë pas, edhe kjo ka rëndësi. Unë çuditem me disa familje që u rrëshqet fëmija dhe arrin të kalojë në ekstreme, të bëhet kriminel. Insh’Allah nuk e kemi këtë fat.”
Reshat Arbana gëzon respektin dhe dashurinë e mbarë shqiptarëve për personalitetin e jashtëzakonshëm, cilësinë artistike dhe pasionin me të cilin ka interpretuar role dhe ngjarje, duke i pasuruar me humanizmin që përcjell dhe kulturën e veshur./Aktorët shqiptarë